Reforma zgjedhore, shtyhet për herë të dytë afati i komisionit
• Kryeparlamentarja Jozefina Topalli pritet në seancën e të hënës të kërkojë shtyrjen e afatit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore edhe për tre ose katër muaj të tjerë.Lajmi konfirmohet nga burime pranë komisionit parlamentar, por është mirëpritur edhe nga të gjitha krahët e politikës. Gjatë prononcimeve të djeshme të përfaqësuesve të lartë të partive të vogla parlamentare, mirëpritet shtyrja e mandatit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, por kërkohet që kjo shtyrje të justifikohet dhe me një rezultat konkret të tij, që do të jetë përfundimi i saj. Kreu aleancist Neritan Ceka tha se, “asnjë komision i Kuvendit nuk ka mbaruar menjëherë punë në afatin e caktuar fillimisht, pra kjo nuk përbën ndonjë përjashtim”. Sipas tij, puna e komisionit është në rrugë të mbarë dhe janë formuluar në përgjithësi mendimet, në lidhje me sistemin elektoral dhe madje ka kaluar dhe në detaje, për sa i përket Kodit Zgjedhor të sistemit. Ndërsa nënkryetari i PSD-së, Engjëll Bejtaj, kërkoi nga komisioni që në fund të tij të kemi një reformë reale. “Bashkëpunimi nuk kondicionohet nga zgjatja e mandatit, pra ne kemi qenë gjithë kohës bashkëpunues në këtë komision”. “Për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë që nuk kemi qenë ne pengesë, për sa i përket bashkëpunimit dhe mendoj që nëse ka ndonjë gjë që duhet të shikohet, është se dikush duhet të shohë pozicionin e vet”, u shpreh nënkryetari i PSD-së. Ndërsa përfaqësues të partive të vogla të djathta kërkojnë gjetjen e konsensusit mes dy partive të mëdha dhe atyre të vogla në Kuvend. Kreu i grupit parlamentar të PR, Madhi, tha se “unë besoj dhe shpresoj se do të gjendet gjuha e mirëkuptimit, që në mënyrë konsensuale të kapërcehen dhe këto pengesa të krijuara në diskutimin e këtij kuadri dhe më pas, unë shpresoj që dinamika e punës së këtij komisioni të zgjedhjeve të jetë rezultative”. Deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, tha dje se reforma po kalon mes diskutimeve. ”Përfaqësuesit e partive parlamentare në komision kanë hedhur idetë dhe shfaqur opsionet rreth sistemit elektoral, të cilat do kalojnë ashtu siç u tha përmes debatit”. Komisioni i posaçëm e ka zgjatur punën e tij me një mandat tremujor shtesë të miratuar në shtator në Parlament, ndërkohë që data 17 dhjetor shënon dhe përfundimin e këtij afati. Ceka, komisioni do përfundojë së shpejti Kreu i PAD-së, Neritan Ceka, u shpreh dje optimist në lidhje me përfundimin së shpejti të punës së këtij komisioni parlamentar. Duke theksuar se mbeten ende çështje të tjera të diskutueshme në këtë drejtim, Ceka tha se, “sigurisht që ka çështje të tjera të diskutueshme, por çështjet për të cilat u krijua komisioni mbyllen. Prandaj, ne nuk jemi për hapjen e çështjeve të tjera, siç janë çështja e pragut”. Madhi, PS-PD të pranojë kërkesat e të vegjëlveKryetari i Grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, u shpreh dje se çështja më e rëndësishme e diskutimit për reformën mbeten listat e proporcionalit për të cilat ka qëndrime të ndryshme. “Pikërisht këtu qëndron debati i pazgjidhur midis forcave të mëdha, PS e PD dhe forcave të vogla politike”, tha Madhi. Bejtaj, e rëndësishme të përfundojë reformaNënkryetari i Partisë Social Demokrate, Engjëll Bejtaj, u shpreh dje se “për aq kohë sa nuk është mbaruar misioni i Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore, mandati do të shtyhet”. “Këtu nuk është çështja a mungon mandati apo do të shtyhet mandati, por nëse do ta bëjmë reformën apo jo. Shtyrja e mandatit është një akt vetëm formal”, tha Bejtaj.