E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një, dy! Hudhër, qepë!

• Edmond TupjaThuhet, ndoshta si gojëdhënë apo për humor, se dikur, njëqind apo dyqind vjet më parë, disa rekrutëve të rinj që vinin nga zonat e thella të vendit, eprorët u futën një hudhër në xhepin e majtë dhe një qepë në të djathtin, për t’u mësuar nga është krahu i majtë e ai i djathtë në mënyrë që t’i stërvisnin gjatë orës së rreshtores: “Një, dy! Një, dy! Hudhër, qepë! Hudhër, qepë!” për të kaluar gradualisht te “Një, dy! Një, dy! Majt’, djatht’! Majt’, djatht’!”. Sigurisht, kjo kohë ka kaluar një herë e përgjithmonë në Shqipëri, ku gjithsecili e di ç’është e majta dhe ç’është e djathta. Kryesisht politikisht. Por jo gjithmonë praktikisht. Nuk po ju dukem i qartë? Atëherë po shpjegohem duke shpresuar se do të më kuptoni, të dashur lexues të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime. Po, politikisht, të gjithë shqiptarët kanë njëfarë ideje se ç’është e majta, pra, ai grupim politik partish ku mbizotëron Partia Socialiste. Gjithashtu, ata kanë njëfarë ideje se ç’është e djathta, pra, ai grupim politik partish ku mbizotëron Partia Demokratike. Sigurisht që jo të gjithë e kanë të qartë ndryshimin midis së majtës dhe së djathtës në Shqipëri, jo të gjithë i njohin hollësisht programet e tyre dhe janë në gjendje të përcaktojnë se ç’i dallon ata nga njëri-tjetri. Gjithsesi, një gjë e kanë mirë parasysh: e majta nuk mund të bëhet e djathtë dhe as e djathta e majtë, të paktën edhe për disa kohë.Praktikisht, në jetën e tyre të përditshme, shumë shqiptarë, kur ecin rrugës ose në trotuar, nuk e kanë të qartë se cilin krah duhet të mbajnë që të mos përplasen me shqiptarët që u vijnë përballë. Kështu, më ndodh të eci në rrugë me biçikletë dhe të përballem me biçiklistë që vijnë drejt meje. Nuk e kuptoj, unë mbaj seriozisht krahun e djathtë, kurse përballësit e mi mbajnë krahun e majtë, në vend që të mbajnë të djathtin që të mos përplasen me mua. E njëjta gjë më ndodh jo rrallë edhe kur eci në trotuar. Për analogji, më ngjan nganjëherë se Partia Socialiste me Partinë Demokratike, tek shkojnë njëra në drejtim të tjetrës, nuk para i respektojnë ashtu si duhet rregullat e qarkullimit qytetar! Sikur, tek vjen momenti i përballjes, Partia Socialiste të mbante krahun e djathtë, domethënë të afrohej nga e majta e Partisë Demokratike, ndërsa kjo e fundit të mbante po krahun e djathtë, domethënë të afrohej nga e majta e Partisë Socialiste, përplasja midis të dyja do të ishte më e lehtë, më e butë, tamam në interes të të gjithë shqiptarëve. Por, me sa duket, herë pas here, të dy partitë tona të mëdha ngatërrojnë krahun: Partia Socialiste rrëshqet nga e djathta dhe Partia Demokratike nga e majta, kështu që përplasja e tyre bëhet e pashmangshme, çka krijon vërtet probleme për ekuilibrin e brishtë politik de vendit. Duke vërejtur me shqetësim këtë lloj ngatërrese, njëfarë “pas de deux”, siç thotë frëngu, jam i mendimit që të dy partive tona të mëdha do t’u bënte shumë mirë sikur të përfitonin nga përvoja e eprorëve të rekrutëve të rinj shqiptarë të para njëqind apo dyqind vjetëve. Kështu, do të ishte e udhës që, në stemën e flamurit të saj, Partia Socialiste të vinte hudhrën, kurse Partia Demokratike qepën, në mënyrë që militantët e tyre të mbanin mirë krahun që duhet të mbajnë në përputhje me bindjet e tyre politike. Sigurisht, që, ashtu si hudhra, Partia Socialiste do të ishte më djegëse dhe do të binte një erë që s’ka asgjë të përbashkët me erën e trëndafilit. Kurse Partia Demokratike do t’u nxirrte më shumë lotë njerëzve. Sidoqoftë, në këtë mënyrë, sidomos gjatë mitingjeve e manifestimeve, vetëm në sajë të erës, njerëzit do ta merrnin vesh, madje edhe symbyllazi, pale po të ishin të verbër, se cila nga dy partitë tona të mëdha, ajo e hudhrës apo ajo e qepës, e organizon mitingun a manifestimin në sheshin “Skënderbej” apo në atë “Nënë Tereza”. I vetmi problem që do të dilte në këtë mes, është nëse Partia Socialdemokrate do të organizonte ndonjë tubim sado modest, sepse do të vinte edhe erë hudhër (social), edhe erë qepë (demokrate), çka do t’i çorodiste njerëzit që ecin symbyllazi, pale po të ishin të verbër.Gjithsesi, tërë partitë e spektrit politik shqiptar do të bënin mirë t’i mësonin e stërvisnin militantët e tyre të mbajnë krahun që duhet jo vetëm për të mirën e tyre, por edhe për atë të vendit. “Një, dy! Hudhër, qepë! Një, dy! Hudhër, qepë!”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›