Meta nënshkruan marrëveshjen Për kujdesin ndaj moshës së tretë me Sindikatën e Pensionistëve
Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Sindikatën e Pensionistëve të Shqipërisë. Vetë Lideri i LSI,Ilir Meta ka firmosur kontratën e marrëveshjes me Kryetarin e Sindikatës së Pensionistëve, Prof. Isa Gorica. Është një kënaqësi e veçantë, por edhe përgjegjësi e madhe politike dhe morale që jemi sot përpara jush dhe opinionit publik, së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës së Pensionistëve dhe Presidentin e saj, Prof. Isa Goricën për të nënshkruar dhe institucionalizuar një marrëveshje bashkëpunimi midis Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe koalicionit tonë, me Sindikatën e Pensionistëve,- u shpreh Meta.
Sipas tij,kjo marrëveshje synon si prioritete programore jo vetëm deri në 28 Qershor, ditën e zgjedhjeve por, ajo çfarë është më e rëndësishmja, pas kësaj dite në qeverisjen e ardhshme të vendit, të miratimit të menjëhershëm të Projektligjit Për kujdesin ndaj moshës së tretë, që Lëvizja Socialiste për Integrim, Sindikata e Pensionistëve dhe ekspertë të shoqërisë civile përgatitën dhe dorëzuan në Kuvendin e Shqipërisë, prej gati më shumë se një viti, projektligj i cili u rrëzua pa asnjë argument nga qeveria e zotit Berisha. Ndaj përmes këtij bashkëpunimi që ne e institucionalizojmë sot,vijoi Meta duke vendosur si një prioritet shumë të rëndësishëm programor solidaritetin dhe mbështetjen për moshën e tretë dhe pensionistët, synojmë jo vetëm miratimin e këtij projektligji, që është mëse realist dhe i domosdoshëm për gati 380 mijë pensionistë që jetojnë në kushte aspak humane sot, por edhe për të reformuar sistemin e pensioneve. Ky është një sistem tepër i deformuar dhe i arnuar herë pas here dhe duhet të jetë një sistem sa më i drejtë nga pikëpamja sociale dhe ne do të synojmë të përjashtojmë diskriminimet që përmbahen sot në sistemin aktual, si dhe rivlerësimin e minimumit jetik, në mënyrë që të jemi realistë për të vlerësuar minimumin jetik dhe të realizojmë të gjithë ato politika, të cilat ndihmojnë pensionistët dhe moshën e tretë për të përballuar me dinjitet jetën e tyre,- u shpreh ai. Ndërsa, Kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica tha se lidhja e kësaj marrëveshjeje me LSI ka vlera të jashtëzakonshme për pensionistët në katër drejtime kryesore. Drejtimi i parë është që, do të mundësohet aprovimi i ligjit për moshën e tretë. Nga aprovimi i këtij ligji pensionistët, rreth 380 mijë pensionistë të moshës së tretë, përfitojnë një rrogë të 13-të, përfitojnë shërbime dhe ilaçe falas, përfitojnë rrugëtime brenda dhe jashtë qytetit falas, dhe familjet e vetmuara të pensionistëve, që janë 87 mijë e 500 përfitojnë përjashtimin nga pagesa e taksave lokale,- u shpreh Gorica. Gjithashtu, shtoi ai kjo marrëveshje do të rregullojë dhe dy çështje të tjera, që kanë të bëjnë me barazimin apo aktualizimin e personave të moshës së kaluar, të atyre që kanë dalë në pension në 30 Shtator të vitit 1993 dhe më përpara, dhe të atyre që kanë dalë në 1 tetor të 1993 deri në 31 Dhjetor të vitit 1996. Këtu janë një numër jo i vogël, rreth 70-75 mijë që marrin shumë pak, me gjithë kontributet shumë të mëdha që kanë dhënë.Ne do të punojmë përkrah Lëvizjes Socialiste për Integrim që ky grupim i mrekullueshëm politik të fitojë dhe do të bëjmë çmos, sepse ne nuk jemi pak, por rreth 83 mijë anëtarë. Ne do të tërheqim dhe të tjerë me vete dhe mendojmë se do tia arrijmë qëllimit që ky grupim politik të fitojë dhe të vijë pushtet,- u shpreh Gorica.
Email This Klikime: 2
Email This Klikime: 2