E Diel, 1 Nëntor 2026

PBLD: Gjykata Kushtetuese shkeli parimin e paanshmërisë

PBLD, cilëson të padrejtë ligjërisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të lustracionit. Kreu i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arjan Starova gjatë një konference për shtyp, ka theksuar se ky vendim shkel parimin e paanshmërisë së institucioneve të drejtësisë. Ndër të tjera, Starova vuri në dukje se "me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese provoi se është pjesë e problemit që ka synuar të zgjidhë zbatimi i ligjit për pastrimin e figurave publike". Sipas, tij Gjykata Kushtetuese duhej të kishte respektuar vetveten si institucion, duke shpallur paaftësinë e vet për marrjen e këtij vendimi për shkak të konfliktit të interesave. Rrugëzgjidhja e vetme, sipas Starovës, e cila do t'i hapte rrugë zgjidhjes së problemit, do të ishte dorëheqja e atyre anëtarëve të Gjykatës, që janë të vetëdijshëm se nuk duhet të jenë pjesë e këtij institucioni, duke dhënë kështu një shembull morali të lartë si njerëz të drejtësisë. Duke vazhduar kritikat e tij për Kushtetuesen lidhur me vendimin e dosjeve ai është shprehur se "Gjykata Kushtetuese shpalli hapur përpara opinionit publik shqiptar, mungesën e vullnetit për të mbështetur me mjete ligjore dënimin e krimeve të komunizmit, krime të cilat dënohen sipas të gjithë dokumenteve ndërkombëtare". Me këtë veprim, theksoi kreu i PBLD, kjo gjykatë shpalli hapur qëndrimin shpërfillës kundrejt krimeve të komunizmit, të njëjtë me partinë kryesore opozitare, Partinë Socialiste. Në këtë drejtim, ai shprehu mbështetjen e plotë për të gjitha përpjekjet e ardhshme politike "për zbatimin e këtij ligji kaq të domosdoshëm për shoqërinë shqiptare"

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›