PBKD: Zbatimi i ligjit, çliron institucionet nga mendësia komuniste
Partia e Ballit Kombëtar Demokrat konsideron se ligji i lustracionit do të largonte një pjesë të së keqes nga trupi i Shqipërisë. Kryetari i PBKD, Artur Roshi, gjatë një konference për shtyp e ka cilësuar qesharake, papajtueshmërinë e ligjit për lustracionin me Kushtetutën.
''Nëse biem të gjithë dakord se krimet e komunizmit duhen dënuar, por ligji që do të bëjmë bie ndesh me kushtetutën, atëherë korrigjimi nuk duhet kërkuar te ligji, por te kushtetuta'', theksoi Kryetari i PBKD. Ndër të tjera, ai është shprehur se Ligjin e lustracionit, i kundërshtuar nga shumë aktorë të jetës politike dhe civile dhe i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, PBKD e përkrahu jo se ai ishte ligji më i mirë i mundshëm për të shëruar plagët e shoqërisë sonë, por sepse ai ligj do të ndihmonte për të larguar një pjesë të së keqes nga trupi i Shqipërisë. Sipas kreut të PBKD, autorët e krimeve gjatë periudhës së regjimit komunist duhet jo vetëm që të largohen nga funksionet shtetërore, por edhe të dalin përpara drejtësisë. Ndër të tjera, Roshi theksoi se, me largimin e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist nga funksionet publike, nuk penalizohen individë të caktuar, por institucionet çlirohen nga mendësia komuniste.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1