E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta nga Greqia Shqiperia te fokusohet tek punesimi

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi sot nga Kozana e Greqisë se zgjedhja e presidentit të ri të vendit ishte një arritje dhe falë përpjekjeve të LSI-së pati një dialog gjithëpërfshirës në këtë proces. Ai tha se në këtë kohë krize ekonomike Shqipëria duhet të fokusohet tek punësimi.
“Falë përpjekjeve të LSI-së u realizua një dialog gjithëpërfshirës, u realizua një përpjekje për të ecur drejt një konsensusi, pavarësisht nga fakti që në fund të fundit ende politika tregoi që ka ende nevojë për t’u pjekur akoma më shumë, për t’u bërë edhe më e përgjegjshme në të ardhmen. LSI do të vazhdojë në këtë drejtim, do të vazhdojë të jetë një forcë që punon për të forcuar stabilitetin politik të vendit, për të forcuar qëndrueshmërinë ekonomike të vendit, për të përmirësuar të drejtat sociale, për të dhënë një kontribut më të rëndësishëm në përqendrimin e politikave qeverisë drejt punësimit, në mënyrë të veçantë. Natyrisht që investimet në infrastrukturë janë shumë të rëndësishme dhe Shqipëria ka bërë një progres shumë të madh në këtë drejtim”-nënvizoi më tej ai.

Sa i përket përgjegjësive të LSI, Meta tha se kjo forcë politike është gjithmonë e drejtuar tek e ardhmja dhe dialogu.
“Ne jemi përgjegjës, në radhë të parë, për të ardhmen e vendeve tona, për të ardhmen e shoqërive tona, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Këtu duhet t’i përqendrojmë të gjitha energjitë sepse në radhë të parë fëmijët kërkojnë mundësi më të mira për tu arsimuar, kërkojnë një perspektivë më të mirë për tu punësuar dhe për të ndërtuar jetën e tyre në të ardhmen dhe nuk mund të vazhdojnë të jetojnë me histori të së shkuarës”,vijoi më tej kreu i LSI-së.

Në marrëdheniet mes Greqisë dhe Shqipërisë, Meta theksoi se e ardhmja e popujve tanë qëndron te bashkëpunimi dhe integrimi.
“Shpreh besimin tim se angazhimi i LSI-së për të punuar më shumë dhe në mënyrë komplete për të forcuar dhe për të konkretizuar integrimin e mëtejshëm të bashkatdhetarëve tanë si këtu në Greqi ashtu edhe në Shqipëri do të rritet më tej dhe ai do të vijojë në javët dhe në muajt e ardhshëm me iniciativa konkrete, në veçanti në lidhje me mundësitë dhe lehtësitë për të investuar apo për të hapur mundësi punësimi në Shqipëri. Njëkohësisht ne mbetemi të angazhuar për të ndjekur në vijimësi disa çështje të rëndësishme që kanë mbetur ende të pazgjidhura këtu në Greqi dhe për këtë do të forcojmë më tej bashkëpunimin me qeverinë e re të Greqisë, me Parlamentin, me forcat politike, për tu dhënë zgjidhje përfundimtare çështjes së patentave, çështjes së sigurimeve shoqërore e kështu me radhë”, tha z. Meta.

Lëvizja Socialiste për Integrim, mbajti dy ditë më parë Konferencës Zgjedhore të degës së kësaj force politike në Prefekturën e Kozanit në Greqinë Veriore. I pranishëm në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i Qarkut Gjirokastër, Vangjel Tavo, nga Sekretari për Çështjet Ligjore në LSI, Spartak Braho, nga Sekretari Politik i LSI-së për Qarkun Korçë Piro Kapurani etj. Të pranishëm në këtë takim shumë të rëndësishme ishin edhe përfaqësues të pushtetit lokal në Greqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›