E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta përshëndet raportin e KE: Na inkurajon

TIRANË- Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta përshëndeti të enjten, progres-raportin e publikuar dje nga Komisioni Europian për Shqipërinë, të cilin e vlerësoi si "një dokument tepër të rëndësishëm, konstruktiv dhe konkret për inkurajimin e vendit tonë në procesin e integrimit europian".
Gjatë një konference për shtyp, zoti Meta vuri në dukje se "progres-raporti skanon ecurinë e reformave në Shqipëri, duke bërë një vlerësim realist dhe objektiv".
Një nga pikat e rëndësishme që vlerësohet pozitivisht në këtë progres-raport, sipas zotit Meta, "ka të bëjë pikërisht me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qeshorit, të cilat u çertifikuan nga OSBE/ODIHR-i si të suksesshme duke arritur shumicën e standardeve ndërkombëtare".
Në këtë drejtim, z. Meta siguroi se "të gjitha rekomandimet e evidentuara në këtë raport do të përbëjnë objektivin kryesor për punën e mëtejshme të qeverisë në të gjitha fushat".
Gjithashtu, në raport me 1 vit më parë, sipas z. Meta "progres-raporti identifikon një rritje të fushave në të cilat ka patur një progres konkret". "Paralel me progres-raportin, Strategjia e Zgjerimit të KE-së konfirmon perspektivën europiane të gjithë vendeve të rajonit tonë, duke përfshirë në mënyrë të veçantë një perspektivë të qartë dhe konkrete edhe për Kosovën", tha më tej z. Meta.
E njëjta garanci, sipas Kreut të diplomacisë shqiptare, "jepet edhe për liberaizimin e vizave për të gjitha vendet e rajonit".
Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, z. Meta theksoi se "edhe për vendet e tjera të rajonit, të cilat janë në një stad më të avancuar se Shqipëria, konstatohet ky problem".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›