Meta prezanton Mustafa Muçin si kandidat të LSI-së për Urën Vajgurore
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim me qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Urën Vajgurore. Në këtë takim Meta duke shprehur sigurinë për fitore të LSI-së në qarkun e Beratit, prezantoi Mustafa Muçin, si kandidatin e LSI-së për deputet në Urën Vajgurore. Duke përshëndetur të pranishmit në këtë takim, Muçi u shpreh i sigurt që LSI-ja do të dalë forcë e parë politike qarkun e Beratit dhe do të jetë një përfaqësuese e denjë e komunitetit tuaj, në parlamentin e ardhshëm. “Vërtet besojmë se do të fitojmë për të bërë disa gjëra të mira për Urën Vajgurore, për të rregulluar disa gjëra që i premtuam dhe fatkeqësisht nuk arritëm t’i përmbushim dot, edhe pse përpara dy viteve fituam të gjithë bashkë Bashkinë e Urës Vajgurore, pavarësisht se çfarë thonë ata që pasi futën mandatin në xhep ndryshuan partitë. Dua t’ju falënderoj edhe një herë dhe dua t’u bëj thirrje që të angazhohemi të gjithë siç jemi, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të realizojmë të gjitha ato çfarë bashkë kemi diskutuar prej shumë vitesh”, - tha ai. Më pas duke marrë fjalën në mes entuziazmit të të pranishmëve, Meta u shpreh mjaft optimist për suksesin historik që do ketë LSI-ja jo vetëm në qarkun e Beratit, por siç tha ai, fitorja e LSI-së do të jetë historike në të gjithë Shqipërinë. Meta ka akuzuar dy drejtuesit e partive të vjetra, që sipas tij, me listat e mbyllura ata kanë eliminuar zonat elektorale nga sistemi zgjedhor në Shqipëri dhe i kanë futur në rresht deputetët si nëpunës të kryetarëve të partisë. “Ndryshe nga këto Parti LSI-ja po del në çdo qark dhe para çdo komuniteti me një ekip kandidatësh, por njëkohësisht edhe me emra kandidatësh që marrin përgjegjësi para komuniteteve të caktuara sikurse është edhe rasti ynë në Urën-Vajgurore me kandidatin tonë, Mustafa Muçi. Kjo është një mënyrë që tregon transparencë dhe vendosmëri të LSI-së për t’i ruajtur raportet e saj me elektoratin me përgjegjësi konkrete dhe me emra konkret, duke mos u fshehur pas listave të mbyllura”, - tha kreu i LSI-së Ilir Meta.
28 Shkurt 2009