E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të zgjedhësh mes “fantazmës” Rama dhe realitetit “Berisha”

Rama nuk figuron në listën e kandidatëve të PS-së

Berisha, çdo ditë thirrje për ta futur në garë

* * * *

Ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor, shqiptarët do të duhet të zgjedhin mes “fantazmës” Rama dhe realitetit “Berisha”. Ata pak shqiptarë që besojnë tek Edi Rama, për herë të parë në historinë e pluralizmit, do të ndihen në siklet dhe vështirësi. Kjo, për faktin se duhet të votojnë një fantazmë. Kryetari i PS-së kërkon votën e tyre, por për habi të çdokujt, nuk figuron në listën për deputetë të Kuvendit të ri të Shqipërisë. Nuk është çudi që mes kësaj dileme të paprovuar më parë, socialistët të zgjedhin një rrugë të mesme: ose të mos shkojnë për të votuar më 28 qershor, ose të votojnë për Partinë Demokratike. Fundja, mund të jenë të majtë, por që nuk mohojnë dot ndryshimin që ka pësuar Shqipëria përgjatë këtyre 4 viteve nën qeverisjen “Berisha”, sepse shqiptarët nuk mund të votojnë në mënyrë të verbër si dikur në kohën e diktaturës. Ajo kohë tashmë nuk ka kthim në Shqipërinë anëtare të NATO-s, së shpejti anëtare edhe në Bashkimin Evropian. Prej kohësh Rama u bën thirrje shqiptarëve që të votojnë për të, por sikur mos të mjaftonin fjalët, kryetari i PS-së në posterin individual që ka bërë për fushatën elektorale, ka “arkivuar” ftesën: “Votoni për Edi Ramën”. Ajo gjendet kudo, në çdo cep të Tiranës, duke ngjallur çudinë e qytetarëve shqiptarë që kërkon votë, pasi ka lënë bosh fushën politike. Një garë pa garues, që vetëm Edi Rama kërkon ta praktikojë, ndërkohë që në kampin tjetër, atë të djathtë, ka një realitet tjetër. Një PD dhe qeveri, e qartë për ato që u premton shqiptarëve dhe e suksesshme për ato që ka bërë gjatë mandatit 4-vjeçar. Kryeministri Sali Berisha kërkon votat e shqiptarëve për një mandat të dytë dhe janë posterat e rinj të demokratëve që tregojnë arsyet se pse ata duhet të votëbesojnë këtë qeveri. Janë posterat me arritjet e qeverisë dhe premtimet e reja, në një kohë kur përballë tyre PS-ja hyn në zgjedhje pa konkursin Edi Rama. Në mënyrë të vazhdueshme lideri Berisha i ka bërë thirrje që të regjistrojë emrin si kandidat dhe të futet në listë. Madje, Berisha ka bërë të qartë se është gati të mbledhë Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme, nëse Rama pranon të përballet më 28 qershor. Madje, këtë thirrje Berisha ia adresoi edhe në mitingun e mbrëmshëm në Kuçovë: “Në emër tuaj, i bëj thirrje edhe një herë kryetarit të PS-së: Çlirohu nga kompleksi i humbjes, sepse edhe humbja, edhe fitorja për burrat janë. Eja dhe regjistrohu në listë, në përputhje me parimin më themelor të pluralizmit. Nuk mund të nisësh në betejë mbështetësit e tu dhe vetë t’ia mbathësh. Kjo nuk pranohet. Dil në krye të listës. Unë jam gati të mbledh Parlamentin, të ndryshoj ligjin, të krijoj të gjitha kushtet, ashtu si t’i duash, mjafton që ti të vendosesh në krye të listës së socialistëve”. Në mungesë të kësaj, shqiptarët tashmë e kanë të qartë se 28 qershori është festa e ëndrrës së tyre evropiane, e projektit madhështor të Shqipërisë evropiane, e Shqipërisë më të bukur për veten dhe fëmijët tanë. PD-ja i fton ata për të vazhduar ndryshimin, për të ecur të gjithë bashkë drejt destinacionit dhe fatit të përbashkët, atë të Shqipërisë në Evropë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›