Lista e zgjedhësve, e mbushur me dublikime
TIRANË- Në listat përfundimtare të zgjedhësve, përfshirja e qytetarëve që kanë vdekur prej vitesh, nuk është i vetmi problem që shfaqet. Nëse do t'i hedhim një sy listës së disa komunave dhe bashkive jashtë Tiranës, do të vërehet një situatë tjetër: ajo e dublimit të emrave, ku një qytetar është i regjistruar të votojë në dy qendra të ndryshme votimi. Kështu, qytetarja Florije Ahmet Bytyçi dhe një sërë qytetarësh të tjerë më këtë mbiemër, janë të regjistruar të votojnë në dy vende të ndryshme.
Edhe Laureta Gjeladin Jeminaj është e regjistruar dy herë në listë, një herë me emrin e atësisë, Gjeladin, dhe njëherë Xheladin. Sipas listës që gazeta "Shekulli" disponon, edhe shtetasi Ervis Qemal Çika i Bashkisë Kukës, do të jetë i dyzuar se ku do të votojë; në kopshtin numër tre apo në shkollën "Kolsh". E njëjta situatë vihet re edhe për një kategori të konsiderueshme shtetasish të Bashkisë Kukës dhe Krumë. Edhe pse Ministria e Brendshme është shprehur se nuk ka më probleme me dublikimet e emrave, lista e përfundimtare e zgjedhësve vërteton të kundërtën.