E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret e reja për transferimin e të dënuarve nga Greqia dhe Italia



Laureta Rryçi

Ministria e Drejtësisë harton rregulla të reja për të gjithë shqiptarët që janë dënuar nga shtetet e huaja, por duan ta vuajnë dënimin në Shqipëri. Pas kësaj nisme ligjore duket se është ndezur dhe drita jeshile për dhjetëra kërkesa të depozituara prej disa muajsh si nga shqiptarët që ndodhen në burgjet greke, ashtu dhe nga ato shqiptarë që aktualisht janë në burgjet italiane. Projektligji tashmë ka marrë formën përfundimtare dhe ka marrë miratimin e qeverisë gjatë mbledhjes së fundit. Pas miratimit të këtij projektligjit pritet të merren në shqyrtim dhjetëra kërkesa të burgosurish shqiptarë për të vuajtur dënimin në vendlindje.
Kriteret
Sipas projektligjit të Ministrisë së Drejtësisë, shtetasi shqiptar që vuan një dënim me burgim në një shtet të huaj, me kërkesë të tij, mund të transferohet në Republikën e Shqipërisë për vazhdimin e vuajtjes së dënimit me burgim, të dhënë në shtetin e huaj. Kërkesa e tij mund të pranohet vetëm me pëlqimin e shtetit dënues, me kusht që jo vetëm edhe vetë shtetasi shqiptar i dënuar të ketë shprehur pëlqim për transferimin, por edhe pjesa e mbetur e dënimit të mos jetë më pak se gjashtë muaj. Për procedurat e dhënies së vendimeve për kërkesat e shtetasve shqiptarë për transferimin në Republikën e Shqipërisë për vazhdimin e vuajtjes së dënimit të dhënë në shtetin dënues vlejnë dispozitat e këtij ligji për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja. Vendimi i gjykatës vendase për njohjen e një vendimi penal të huaj i komunikohet personit të dënuar në shtetin dënues dhe u paraqitet, gjithashtu, autoriteteve përkatëse të shtetit dënues. Pas këtij vendimi, i dënuari nënshkruan për marrjen dijeni të vendimit dhe konfirmimi për këtë veprim i paraqitet edhe gjykatës që e ka dhënë vendimin. Pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë dhe autoritetet përkatëse të shtetit dënues të kenë rënë dakord me të, fillon marrja e masave për transferimin e personit të dënuar nga shteti dënues në Republikën e Shqipërisë.
Kushtet
Sipas Konventës, janë një sërë kushtesh që duhet të plotësojë një i dënuar që të transferohet në vendlindjen e tij për të vuajtur dënimin. Në përputhje me Konventën, një person i dënuar mund të transferohet vetëm në kushtet e mëposhtme: nëse ai person është shtetas i shtetit zbatues; nëse vendimi është i formës së prerë; nëse në kohën e marrjes së kërkesës për transferim,
personi i dënuar ka ende të paktën gjashtë muaj të dënimit për të vuajtur apo nëse dënimi është i papërcaktuar; nëse për transferimin është dhënë pëlqimi nga personi i dënuar ose kur, duke marrë parasysh moshën ose gjendjen e tij fizike ose mendore dhe, kur njëri prej të dy shteteve e konsideron atë si të
nevojshme, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të personit të dënuar.
Dokumentet
Shqiptarët e dënuar, për të mbërritur në vendlindje, duhet të plotësojnë në të njëjtën kohë një sërë dokumentesh për t’ia servirur më pas autoriteteve të huaja ku ndodhen në formën e një dosjeje. Shteti dënues i jep mundësi shtetit zbatues që të verifikojë nëpërmjet një konsulli ose një zyrtari tjetër, për të cilin është rënë dakord nga shteti zbatues, që pëlqimi është dhënë në përputhje me kushtet e përcaktuara në
paragrafin 1 të mësipërm. Nëse veprimet apo mosveprimet, në bazë të të cilave është dhënë dënimi, përbëjnë një vepër penale në
përputhje me të drejtën e shtetit zbatues ose do të përbënte një vepër penale nëse do të ishte kryer në territorin e tij.

Kostoja për transitin
Secili shtet mund të kërkojë që kërkesat për transferim ose dokumentet shtesë të shoqërohen me një përkthim në gjuhët ose në njërën nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Europës, ose në njërën nga gjuhët që ai bën të ditur me anë të një deklarate drejtuar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës në momentin e
nënshkrimit ose kur të depozitojë instrumentin e ratifikimit, pranimit, miratimit ose anëtarësimit. Në këtë rast, ai mund të deklarojë gatishmërinë e vet për të pranuar përkthime në çdo gjuhë tjetër, përveç gjuhës ose gjuhëve zyrtare të
Këshillit të Europës. Përveç kufizimit të parashikuar në Nenin 6.2. a, dokumentet e transmetuara në zbatim të Konventës
nuk nevojitet të vërtetohen. Të gjitha shpenzimet e dala si rezultat i zbatimit të Konventës përballohen nga shteti zbatues, përveç shpenzimeve të dala ekskluzivisht në territorin e shtetit dënues.

Procedurë për shtetasit e huaj që duan të transferohen në vendlindje

Shtetasi i huaj, që vuan dënimin me burgim në Republikën e Shqipërisë, sipas një vendimi penal të një gjykate vendase, mund të bëjë kërkesë për ta vazhduar vuajtjen e dënimit të dhënë në shtetin e shtetësisë së tij. Institucioni penitenciar, ku shtetasi i huaj vuan dënimin, ka detyrimin ta informojë personin për mundësinë e vuajtjes së dënimit të dhënë në shtetin e shtetësisë së vet. Kërkesa i paraqitet institucionit penitenciar, ku shtetasi i huaj vuan dënimin. Institucioni penitenciar harton dokumentet, që i bashkëlidhen kërkesës së personit të dënuar, dhe dosja e përfunduar i paraqitet Ministrisë së Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë i paraqet shtetit të shtetësisë së personit të dënuar kërkesën e këtij të fundit. Kur shteti i shtetësisë së personit të dënuar merr përsipër ekzekutimin e dënimit, ministri i Drejtësisë procedon me transferimin e shtetasit të huaj nga Republika e Shqipërisë, në bazë të një vendimi gjyqësor. Data, ora dhe vendi i transferimit të personit të dënuar nga gjykata shqiptare në shtetin pritës ose nga shteti dënues në Republikën e Shqipërisë dhe mënyra e transportimit të tij rregullohen ndërmjet Interpolit në Shqipëri dhe Interpolit në shtetin e huaj dhe transferimi realizohet nga Policia Kufitare dhe Migracionit e Republikës së Shqipërisë. Shpenzimet për transferimin e personit të dënuar mbulohen nga shteti pritës, përveç shpenzimeve, që janë shkaktuar ekskluzivisht në shtetin dënues. Kur transferimi i planifikuar i personit të dënuar nga shteti dënues në Republikën e Shqipërisë dështon për një arsye të caktuar, shpenzimet, për këtë qëllim, mbulohen nga Policia Kufitare dhe Migracionit e Republikës së Shqipërisë.

Transferimi vetëm i dosjes

Kur në territorin e Republikës së Shqipërisë është kryer një vepër penale nga një shtetas i huaj me vendbanim në një shtet të huaj, dosja penale mund t’i transferohet atij shteti për ndjekjen penale dhe gjykimin, me kusht që shteti i huaj të mos kundërshtojë. Transferimi i ndjekjes penale dhe i gjykimit nuk lejohen kur ka arsye për të menduar se në shtetin tjetër, shtetasi i huaj do t’i nënshtrohet një procedimi të padrejtë, trajtimi ose dënimi çnjerëzor e degradues. Prokurori vendos për transferimin para se të ngrihet aktakuza. Pas ngritjes së aktakuzës dhe para se çështja t’i kalojë gjykatës për caktimin e seancës kryesore, vendimi merret nga gjyqtari i gjykimit paraprak, me propozimin e prokurorit. Gjykata, pas fillimit të seancës kryesore, me propozimin e prokurorit, vendos transferimin e ndjekjes penale. Transferimi mund të bëhet për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e gjykatës, e që janë të dënueshme më burgim për një afat deri në dhjetë vjet, përveç kur parashikohet ndryshe në një marrëveshje ndërkombëtare.

Kërkesa për pranimin e ndjekjes penale nga një shtet i huaj

Kërkesa për pranimin e ndjekjes penale nga një shtet i huaj paraqitet në formën e një letër-porosie. Letër-porositë për pranimin e ndjekjes penale përfshijnë edhe informacione personale për personin e dyshuar ose të akuzuar, shtetësinë e tij, vendbanimin, përshkrimin dhe përcaktimin e veprës penale, si dhe një deklarim për shkaqet e transferimit të procedimit penal në shtetin e kërkuar. Letër-porositë dhe dokumentet shoqëruese duhet të përkthehen në gjuhën e shtetit të kërkuar, përveçse kur parashikohet ndryshe në një marrëveshje ndërkombëtare.

27 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›