E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta pro mocionit për shkarkimin e Topallit

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet mocionin e mosbesimit ndaj kryeparlamentares Jozefina Topalli. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh pro kësaj nisme, edhe pse shprehu dyshime për nismën e socialistëve. Ai tha se Kuvendi duhet të kishte votuar në seancën e së hënës kalimin në rend të ditës të dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Ne duam t ju sigurojmë se votat tona do të jenë gjithmonë pro çdo nisme që është kundër drejtimit të Parlamentit në mënyrën si e ka drejtuar deri tani Topalli, ku kulmi i shkeljes së procedurave dhe normalitetit të Parlamentit ishte më 21 prill, në mënyrë krejt të dyshimtë dhe aspak transparente për ndryshimin e Kushtetutës, e cila u ndryshua në substancën e saj në mënyrë të rrufeshme”, - siguroi dje Meta. Por ai theksoi gjithashtu dyshimin për përfundimin me sukses të kësaj nisme. Për sa i përket dekreteve të Kreut të Shtetit, Meta tha se Kuvendi e ka për detyrë të shprehet duke votuar ndërsa dënoi sjelljen e Topallit, por edhe shantazhet e bëra nga ana e kryeministrit Berisha ndaj presidentit Topi, pse ai nuk ishte konsultuar me kryetarin e Partisë.

Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›