E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi për Gërdecin kompetencë vetëm e Prokurorisë

Autori i Lajmit: red.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uithers, zhvilloi dje një takim me prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Ambasadori e siguroi prokuroren e Përgjithshme që Qeveria e SHBA-së mbetet në mënyrë të përhershme e përkushtuar ndaj një hetimi të paanshëm e të gjithanshëm, të bazuar plotësisht mbi fakte ligjore. “Qeveria e SHBA-së nuk do të paragjykojë përfundimin e ndonjë procedimi ligjor, por pret që vetëm faktet do të jenë përbërësi kritik për të përcaktuar gamën dhe natyrën e hetimit”, - theksoi ai. Sipas Uithersit qeveria amerikane do të ishte e zhgënjyer dhe e alarmuar nga çfarëdo përpjekje për t ia nënshtruar këtë hetim çfarëdo ndikimi të jashtëm. “Është detyra kushtetuese e Prokurores së Përgjithshme, dhe jo ajo e ndonjë organi tjetër të qeverisjes, që të kryejë punën e saj pa pasur ndërhyrje. Që të ndodhë kjo, është e domosdoshme që Parlamenti të trajtojë në mënyrë të menjëhershme çështjen e imunitetit parlamentar”, - tha ai gjatë takimit. Uithers theksoi se Qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar nëse ndonjë faktor, parti, apo udhëheqës politik bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në ndonjë mënyrë, do të përfshinin ndonjë axhendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›