Meta rikthehet te fasonët
Aristir Lumezi
Kryetari i LSI-së Ilir Meta u premtoi dje përfaqësuesve të biznesit fason mbështetje fiskale për rimëkëmbjen e tyre për shkak të krizës. Gjatë një takimi me përfaqësues të shoqatës së biznesit fason, dje në Tiranë Meta tha se ky është biznesi që ka numrin më të madh të punësuarve sot në vendin tonë, dhe që kryesisht janë vajza dhe gra. “Është biznesi që përfaqëson volumin më të madh të eksporteve tona jashtë dhe natyrisht që është një biznes që është në vështirësi, pasi tregjet e shitjes së tyre janë kryesisht jashtë vendit dhe duhet pasur në konsideratë kriza ekonomike globale, që ndjehet edhe në Evropë dhe në mënyrë të veçantë në Itali”, tha Meta. LSI, tha Meta, ka dalë prej kohësh me propozime konkrete për të lehtësuar vështirësitë financiare, në të cilat ju ndodheni sot që të vijoni aktivitetin tuaj dhe që të ruani këto vende pune. “Propozimet tona kanë të bëjnë me heqjen e tatimit mbi fitimin deri në dhjetor të vitit 2010, që kanë të bëjnë me subvencionimin e sigurimeve shoqërore në masën 50 për qind deri në fund të vitit 2011, dhe njëkohësisht edhe të sigurimeve shëndetësore dhe njëkohësisht që kanë të bëjnë me subvencionimin 100 për qind të sigurimeve shoqërore për çdo vend të ri pune, që do të krijohen në këtë periudhë krize”, tha Meta. Ky takim vjen pas disa vizitash, që kreu i LSI ka zhvilluar në disa fabrika të fasonëve (me material porositësi), biznese që kanë të punësuar më shumë se 100 mijë shqiptarë, kryesisht gra dhe vajza. Meta është shprehur në mënyrë koherente se këta biznese në kushtet aktuale të krizës kanë nevojë për lehtësira nga shteti, që të mos falimentojnë. Duke folur gjithnjë me qëllim shpëtimin nga falimentimi të këtij biznesi, kreu i LSI-së kërkoi edhe heqjen e TVSH së makinerive të pajisjeve për këtë lloj biznesi dhe aktiviteti në vendin tonë. Duke vijuar me masat që kërkohen të merren për këtë biznes, Meta propozoi një rol më aktiv të qeverisë me bankat. “Është e domosdoshme që të hiqen barrierat fiskale dhe administrative për thithjen e lëndës së parë direkt nga vendi i prodhimit të saj. Po kështu është e rëndësishme që Qeveria të luajë një rol ndërmjetësues me bankat, në mënyrë që të diskutohet dhe të shikohet mundësia e ristrukturimit të kredive për këtë periudhë krize”, tha Meta. Sipas tij, kjo është një industri që duhet mbrojtur me çdo çmim, por çmimi i gjithë këtyre masave që ne kemi propozuar është krejtësisht i papërfillshëm me rëndësinë e madhe sociale për shkak të numrit të punësuarve që këto biznese kanë, dhe është i papërfillshëm në raport edhe me vlerën e masës së eksporteve që këto biznese përfaqësojnë të cilat rrezikojnë të dëmtohen apo të humben për arsye të disa masave të domosdoshme nga qeveria dhe nga shteti. Meta solli edhe njëherë në vëmendje faktin e para pak ditëve më parë që rreth 50 ndërmarrje fasoni kishin ndërprerë aktivitetin e tyre, dhe që gati 10 mijë apo 11 mijë të punësuar kanë qëndruar në shtëpi.