Qeveria rrit shpenzimet për investime
Në pragfushatë qeveria ka rritur ndjeshëm shpenzimet për investime. Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave, deri në fund të muajit mars shpenzimet kapitale janë 10.3 për qind më shumë se parashikimi. Ndërsa për sa i përket treguesve të tjerë, në krahasim me parashikimin rezultojnë të jenë më pak. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit në fund të muajit mars 2009 arritën në 76 miliardë lekë, ose 4.2% më pak se parashikimi. Shpenzimet korente rezultuan me 7.2% më pak se parashikimi. Më pak se parashikimi janë edhe të ardhurat buxhetore. Deri në fund të muajit mars të ardhurat buxhetore arritën në 72.3 miliardë lekë ose rreth 3.2% më pak se parashikimi. Të ardhurat tatimore po në fund të këtij muaji arritën në 64.3 miliardë lekë ose 6.3% më pak se parashikimi.