Çelet sezoni turistik, mungon ministria
VLORE - Ashtu sikurse është kthyer tashmë në traditë, në javën e dytë të majit, çelet zyrtarisht në Vlorë sezoni turistik. Në kuadër të aktiviteteve është zhvilluar mbrëmjen e së premtes një spektakël cirku në rrugë, duke mbledhur në sheshin e Skelës me qindra qytetarë. Ndërsa dje u zhvillua ceremonia zyrtare e çeljes së sezonit turistik 2009. Me këtë rast është ngritur edhe një zyrë e informacionit për turistët në Sheshin e Flamurit. I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryebashkiaku Shpëtim Gjika. Ndërkohë u vu re mungesa e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës. Ceremonia u përqendrua në zonën e plazhit të ri, ku të pranishëm ishin edhe autoritete të tjerë vendorë, deputetët Kollozi e Leskaj, Kryetari i Këshillit të Qarkut z, Agron Sharra si dhe konsulli i Italisë në Vlorë, Sergio Strozzi. Kryebashkiaku Gjika u garantoi pjesëmarrësve se edhe këtë vit Vlora do të jetë mbretëresha e turizmit në vendin tonë. q.b