E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nano: Doktori ka përhapur infeksionet e rrezikshme tek LSI

28/05/2005  Kryesocialisti sulmon në Lushnje Metën dhe LSI

Kryeministri Fatos Nano ka sulmuar ashpër kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Metën, duke e cilësuar si një infeksion i sajuar nga Sali Berisha gjatë këtyre 14 vjetëve. Nano gjatë takimit me banorë të Lushnjës tha: “Doktori ka përhapur infeksionet më të rrezikshme. E kam fjalën për taborin e Ilir Metës, të cilët, të errësuar, nga qejfmbetjet, po derdhin vazhdimisht kovat e qumështit të arritjeve të të gjithë socialiste në këto 8 vjet qeverisjeje“. Kreu i Partisë Socialiste gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet të PS në rrethin e Lushnjës, Asllan Haxhiu në zonën elektorale nr.62, Vath Koreshi në zonën nr.63, Et'hem Ruka në zonën nr.64 dhe Arta Dade në zonën nr.65. Nano ka sulmuar ashpër dhe Partinë Demokartike. Sipas tij, “përfaqësuesit e PD-së janë të njëjtët mashtrues, dinak, egërsira, shkaktarët e dhimbjeve, të kaosit, të dhunës dhe të çuarjes së Shqipërisë në fund të humnerës 8 vjet më parë“. Duke pranuar dhe shumë mosrealizime nga premtimet e bëra katër vjet më parë, Nano është ndalur dhe në investimet që kjo zonë do të njohë në katër vitet e ardhshme si në infrastrukturë, në politikat nxitëse për familjet fermere, duke hequr akcizën e naftës, ndërtim të tregut të fruta perimeve në Lushnjë etj. Po dje, kreu i ekzekutivit shqiptar ka prezantuar kandidatët për deputet në zonën nr.97, të rrethit të Vlorës, Besnik Dervishi. Gjatë një takimi të zhvilluar me banorë të komunës së Kotes, Nano tha se “Partia Socialiste gjatë mandatit 4-vjeçar të saj ndërmori misionin titanik të rimëkëmbjes së vendit. Ne jemi më të mirët e politikës shqiptare, sepse kemi ditur të ndryshojmë veten, duke punuar së bashku. Jam këtu për të deklaruar se gjithçka kërkohet prej jush do të realizohet", theksoi Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›