E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, takim me 2000 të rinj në Amfiteatrin e Liqenit Artificial në Tiranë



Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi një takim masiv në Amfiteatrin në Kodrat e Liqenit në Tiranë. Mbi 2 mijë të rinj e të reja kryeqytetas premtuan mbështetjen e tyre të pakursyer për liderin e LSI-së Ilir Meta dhe për fitoren e LSI-së më 28 qershor. Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, evidentoi Planin për Veprim që ka LSI për rininë. Ndërsa duke marrë fjalën përmes një entuziazmi dhe energjie rinore, lideri i LSI-së u shpreh se Koha për Veprim, në radhë të parë, është Koha për Rininë. “Të jeni të sigurt se nuk do të zhgënjeheni nga Ilir Meta, se jam i vendosur t’ju udhëheq në një fitore spektakolare më 28 qershor, sepse Ilir Meta, ndryshe nga alternativat e tjera, të lodhura nga korrupsioni i pushtetit, ka me vete një forcë të jashtëzakonshme, forcën më të madhe rinore në Shqipëri, Lëvizjen Rinore për Integrim. Jemi në një moment fatlum se vetëm një muaj na ndan nga dita e takimit me historinë, se 28 Qershori është vërtetë një ditë historike, sepse do ndahemi me regjimin korruptiv i dy forcave të vjetra, që nuk mund të ofrojnë më asnjë alternativë shpresëdhënëse për rininë e Shqipërisë, që e kanë lënë pa punë rininë, e kanë lënë pa ambiente sportive, pa ambiente kulturore dhe i përdorin të rinjtë vetëm për fasada. Ku i kanë të rinjtë e forumeve të tyre si kandidatë për deputetë? Asgjëkund nuk i kanë. Ndërsa një ndër tre kandidatët kryesorë të LSI-së është kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho. Parlamentit të Fazlliçëve dhe të Mega-Dushkut po i vjen fundi. Ndaj koalicioni ynë është në rrugën e sigurt të fitores dhe të jeni të sigurt se më 29 qershor fitorja i buzëqesh LSI-së, i buzëqesh koalicionit tonë. Të jeni të sigurt se me vendosmërinë tonë, me programin tonë, me vizionin tonë, me shpirtin tonë idealist, me fuqinë tonë do ta motivojmë elektoratin progresist dhe opozitar për të mundur Sali Berishën më 28 qershor. Ilir Meta do të punojë pa u lodhur në këtë muaj që ka mbetur për të unifikuar sa më shumë faktorë progresistë dhe opozitarë kundër Sali Berishës dhe njëkohësisht për të bashkuar opozitën e sotme dhe maxhorancën e 29 qershorit”, - u shpreh kreu i LSI-së.

Shaban Sulçe

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›