E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta takohet me minatorët e Bulqizës: Qeverisja e LSI-së do të miratojë Statusin e Minatorit



Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me minatorët e Bulqizës. Së bashku me drejtues të tjerë të LSI-së, Meta ishte brenda në galeritë e Minierës së Bulqizës, rreth 800 metra nën tokë dhe bisedoi me minatorët lidhur me problemet me të cilat përballen ata dhe kryesisht për kushtet e punës. Në fjalën e tij gjatë takimit me minatorët, kreu i LSI-së tha se kriza ekonomike ka trokitur tashmë në Shqipëri dhe të parët që po e ndiejnë atë janë minatorët, të cilët punojnë për të siguruar bukën e gojës për vete dhe familjet e tyre, në kushte tepër të vështira. Meta shprehu keqardhjen që shumë minatorë, kolegë të tyre, kanë humbur edhe jetën për të ushqyer fëmijët. Ndërkohë, kreu i LSI-së akuzoi qeverinë se nuk ka bërë asgjë për Statusin e Minatorit dhe i ka lënë minatorët të punojnë në kushte tepër të rënda pune. Kreu i LSI-së premtoi angazhimin e LSI-së që minatorët jo vetëm të mos humbasin vendet e punës, por që të investohet sa më shumë në sektorin minerar, në mënyrë që të krijohen qindra vende të reja pune. Gjithashtu, Meta u premtoi minatorëve se LSI-ja do të angazhohet që pas 28 qershorit të diskutojë së bashku me minatorët Statusin e Minatorit dhe ta votojë në Parlament.

PS: Qeveria po përbuz shtresën e ish-ushtarakëve

Partia Socialiste akuzon qeverinë se gjatë këtyre katër viteve jo vetëm që nuk ka mbështetur shtresën e ish-ushtarakëve, por edhe ka marrë disa vendime, të cilat e kanë trajtuar negativisht këtë kategori të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. “Ushtarakët e FA në lirim, në rezervë apo pension pleqërie, kanë ngelur të përbuzur dhe nuk kanë marrë atë që u takon, të cilën shoqëria shqiptare ua ka akorduar nëpërmjet legjislacionit përkatës të miratuar në Parlament”, - tha anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Ilir Gjoni. Duke komentuar vendimin e Ministrisë së Financave, Gjoni tha se ky vendim është shprehje e qartë e qëndrimit të qeverisë, për të mos zgjidhur problemin e ish-ushtarakëve. Ai deklaroi dhe premtoi se vetëm qeverisja e PS-së më 29 qershor do të garantojë këtë mbështetje për ish-ushtarakët. “Kohët e fundit, ministri i Financave ka hedhur tezën cinike, se edhe trajtimi i ish-ushtarakëve do të zgjidhet me paketën ligjore që po ‘përgatit’ qeveria në kudër të pagesës suplementare për minatorët, naftëtarët dhe shtresa të tjera të shoqërisë. Ky është mesazhi më i qartë se qeveria aktuale nuk do ta zgjidhë problemin e trajtimit me pagesë suplementare të ish-ushtarakëve. PS-ja garanton të gjithë ushtarakët se pas 28 qershorit do të rivendosë, pa mëdyshjen më të vogël, në vend dinjitetin dhe të drejtat e tyre”, - tha Gjoni.

1 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›