KKRT heziton: Asnjë masë ndaj shkelësve të ligjit
Këshilli Kombëtar i Radiotelevizioneve, edhe pse i sinjalizuar në disa raste për shkeljet e disa operatorëve kabllorë në rrethe të ndryshme të vendit, të cilët transmetojnë programe që janë ekskluzivitet i kompanisë "DigitAlb" e paketës "SuperSport", ende nuk ka dalë me ndonjë masë konkrete ndaj këtyre shkelësve të ligjit. Në takimin e fundit mes përfaqësuesve të KKRT-së dhe drejtuesve të kompanisë "DigitAlb" e "SuperSport", iu ishte premtuar se në fillimin e kësaj jave do të bëheshin të ditura masat e marra ndaj operatorëve që kanë bërë këto shkelje dhe vazhdojnë t‘i bëjnë në rrethe të ndryshme të vendit. Por, të kontaktuar nga "Top Channel", drejtuesit e KKRT-së jo vetëm që nuk kanë qenë të gatshëm të bëjnë të ditura masat që duhet të kishin marrë, por nuk kanë qenë në gjendje për përcaktimin e një afati tjetër. Edhe këtë herë, autoriteti mbikëqyrës i radiotelevizioneve tregon dobësi të theksuar në menaxhimin e situatës dhe të operatorëve që ai vetë i ka licencuar, duke çuar në këtë pikë daljen nga kontrolli të situatës, e cila vazhdon të dëmtojë kompani si "DigitAlb" e "SuperSport", që kanë shpenzuar shuma të mëdha për të transmetuar programe të ndryshme, në mënyrë ekskluzive konform legjislacionit shqiptar.