Meta takon homologun kosovar, Skënder Hyseni
Shqipëria afirmon qëndrimin e vet se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Jo vetëm kaq, por në mbështetje të konsolidimit të shtetit të ri, Shqipëria do të japë një mbështetje aktive duke zgjeruar ndërkohë rolin e vet në rajon. Takimi i djeshëm mes ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta, dhe atij të Kosovës, Skënder Hyseni, ka rikonfirmuar nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve, i cili e ka angazhuar Tiranën zyrtare në një pozicion diplomaci aktive. “Pavarësia e saj është e pakthyeshme... Në këtë kontekst, shpreha angazhimin maksimal për koordinimin e veprimtarisë diplomatike në funksion të konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës...”, deklaroi ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Më shumë se një koordinim, veprimi diplomatik në këtë drejtim i afrohet unifikimit për shkak se Kosova është shpallur prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë. Lidhur me pavarësinë, homologu kosovar i Metës, është shprehur optimist sidomos pas vendimit të pritshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Periudha pas GJND-së është shumë e rëndësishme dhe ne në Kosovë e shohim këtë periudhë me shumë optimizëm dhe me pritje që do të ketë një avancim të njohjeve të pavarësisë së Kosovës”, tha ai. Një element me rëndësi në këtë takim ishte edhe vëmendja ndaj punimeve të autostradës së re, Morinë-Merdare që sipas dy ministrave plotëson Rrugën e Kombit. Ndërkaq, përputhja e vizionit mes dy vendeve ka gjetur vend edhe për një pikë delikate siç është bashkëpunimi me Serbinë. Si Meta ashtu edhe Hyseni kanë vlerësuar nevojën e një optike të re në këtë drejtim, ç’ka i jep një mbështetje morale edhe vizitës së ministrit shqiptar në Beograd; vizitë që edhe u kritikua në disa raste. Axhenda e Metës dje ka pasur si pikë të saj edhe një takim me ambasadorin jorezident të Australisë në vendin tonë, Jeremy Roger Newman dhe anëtarin e kryesisë së Partisë Socialiste Bullgare dhe zv.kryetar i Parlamentit bullgar, z.Georgi Pirinski.
#