Meta, ultimatum Ramës: Ke 48 orë kohë
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i ka dërguar një tjetër ultimatum kryetarit të PS-së, Edi Rama. Gjatë një konference për shtyp, Meta i ka kujtuar Ramës se e pret 48 orë për t‘u ulur dhe diskutuar për ndryshimet kushtetuese, të cilat duhet të bëhen me referendum dhe jo në bazë të marrëveshjeve politike. Sipas Metës, vendimi duhet marrë brenda këtyre orëve duke i parapritë kështu miratimit në Fletoren Zyrtare, sepse nëse botohet në Fletoren Zyrtare ndryshimet hyjnë në fuqi. Për t‘i paraprirë miratimit në Fletoren Zyrtare, Meta është shprehur dje se "jam gati në këto 48 orë, në çdo minutë që ai do ta ketë të lirë dhe në dispozicion të një çështje shumë të madhe që ka të bëjë me Kushtetutën dhe sovranitetin e popullit shqiptar. Jam gati të takohem me të dhe me ekspertë, jo vetëm të LSI-së, por edhe të pavarur edhe prestigjiozë të së drejtës kushtetuese dhe njëkohësisht edhe ai mund të marrë ekspert të Kushtetutës për këtë çështje. Sepse për fat të keq vura re një reagim refraktar ndaj kompromisit të madh që unë i ofrova publikisht, z.Rama". Gjatë fjalës së tij, kryetari i LSI-së, Meta, ka risjellë edhe një herë në vëmendjen e shqiptarëve nëpërmjet mediave se çfarë ka ndodhur ne nenin 104 dhe 105 të Kushtetutës, si kanë qenë këta nene dhe si janë ndryshuar. Ndryshime, të cilat sipas Metës, kanë shkatërruar Republikën Parlamentare dhe kanë konsoliduar Republikën Kryeministrore duke e bërë Kryeministrin të "paheqshëm" nga Parlamenti. "Ndryshimi i këtyre dy neneve e kthen Parlamentin në peng të Kryeministrit, e kthen Kryeministrin në një kontrollues dhe në një shantazhues të Parlamentit dhe e dimë që Parlamenti është dhe duhet të jetë përfaqësues i sovranit. Pra, përmbys krejtësisht Republikën Parlamentare dhe e kthen në republikë kryeministrore", është shprehur Meta. Duke u rikthyer te letra që Meta i ka dërguar pak ditë më parë kryetarit të PS-së, Rama. Kreu i LSI-së është shprehur se "neni 2 i Kushtetutës thotë, pika e parë, sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Pika e dytë, populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti. Tani unë dua t‘i pyes këta deputetë të PS-së: këta këtë të drejtë që ushtruan për të ndryshuar Kushtetutën dhe për t‘i hequr sovranitetin popullit shqiptar, mbi çfarë baze e realizuan?". Prandaj, është shprehur Meta, e ftoj zotin Rama që të distancohet nga puçi i Sali Berishës dhe t‘u kërkojë deputetëve të vijnë të firmosin, në mënyrë që populli shqiptar, ai që nuk ia ka deleguar askujt sovranitetin e vet, të vendosë nëse do ta mbajë këtë sovranitet, do ta ushtrojë vetë, apo do t‘ua japë tre kryetarëve. Meta ka theksuar se nuk do të ndalet te sistemi zgjedhor, pasi për të do të jenë zgjedhësit që do të vendosin, por ka shtuar ai, nuk mund të pranojmë kurrsesi që të dhunohet në këtë mënyrë Kushtetuta e vendit.
Kodheli i përgjigjet Metës: Ka ikur koha e politikës së vjetër
PS-ja ka reaguar dje për letrën e dërguar pak ditë më parë nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili i kërkonte kryetarit të PS-së, Rama, që të bashkonte firmat për referendum popullor për ndryshimet në Kushtetutë. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, gjatë një konference për shtyp tha se kjo përgjigje ndaj LSI-së vjen pas diskutimeve dhe analizës që i është bërë kësaj letre nga sekretariati ekzekutiv dhe kryesia e grupit parlamentar të PS-së. "Duke ndier keqardhje për gjuhën e papërshtatshme të letrës dhe duke vënë re mungesën e qartësisë e qetësisë së zotit Ilir Meta edhe në këtë adresim të shkruar publik, sekretariati ekzekutiv dhe kryesia e grupit parlamentar socialist ranë në një mendje për të kërkuar nga drejtuesi i LSI-se që të reflektojë pa mllef mbi devijimin e tij krejt të pajustifikuar të kohëve të fundit e të kthehet në rrugën e arsyes e të bashkëpunimit", është shprehur Kodheli, duke përcjellë qëndrimin e forumeve drejtuese të PS-së. Më tej, ajo ka theksuar se "aleati ynë, Ilir Meta, duhet të mendojë për miliona njerëz që nga politika presin njerëzillëk e jo harbutllëk, presin zgjidhje të problemeve të tyre të panumërta e jo sherre për orekset e pak politikanëve, presin arsye për të besuar tek e ardhmja e jo mllef që buron nga e shkuara". Kryetari i LSI-së, Meta, tha Kodheli, duhet të kuptojë se nuk është më koha e politikës së vjetër të interesave e inateve personale, po ora e një angazhimi të madh të të gjitha forcave progresiste të shoqërisë shqiptare për një politikë të re qytetare në shërbim të vendit e të njerëzve.
Sipas saj, është ora e forcimit të themeleve të brishta të parlamentarizmit shqiptar, jo vetëm përmes reformave që garantojnë përfaqësimin e drejtë e dinjitoz të alternativave në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe votën e popullit për programin, ekipin dhe drejtuesin që fiton zgjedhjet, po edhe përmes një etike të re politike në raport me institucionin e Parlamentit, ku sovraniteti i popullit shprehet me votën e përfaqësuesve të tij legjitime. "Të mos jesh dakord me vendimet e shumicës është natyrë e jetës demokratike, të veprosh për t‘i ndryshuar vendimet e shumicës parlamentare në rrugë referendare është pjesë e të drejtave e lirive të njerëzve në demokraci, ndërsa të kërcënosh e anatemosh një shumicë kushtetuese, sepse ushtron një të drejtë kushtetuese për ndryshimin e ligjit themelor të shtetit në Parlament, është shprehje e një kulture të vjetër antidemokratike e anti-institucionale që i ka sjellë plot dëme vendit e shoqërisë sonë", është shprehur Kodheli. PS-ja, shtoi Kodheli, nuk e dëshiron konfliktin e paarsyeshëm që Meta ka hapur mbi bazën e një projekti personal dhe nuk do të bëhet asnjëherë pjesë e këtij konflikti që nuk ka asnjë bazë parimore. Rruga jonë, shtoi ajo, është rruga e një bashkimi të ri në dialog me Shqipërinë reale.