E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama nga Dushku: Të rrëzojmë të vjetrën

Muaji maj për PS-në do të jetë muaji i dialogut me rininë. Takimin e parë me të rinjtë, kryetari i PS-së, Edi Rama, e ka zhvilluar në fshatin Dushk të Lushnjës. Gjatë fjalës së tij, Rama ka kërkuar që rinia të jetë zëdhënëse e bashkimit të ri të të gjithë shqiptarëve. "Në këtë komunë, ne dëshirojmë të fillojmë rrugëtimin e përbashkët, me të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, për të treguar se rinia nuk jeton vetëm në qytet, rinia nuk jeton vetëm në bulevardin e Tiranës, rinia nuk jeton vetëm në hapësirat urbane, por rinia e gjallë, aktive, me ëndrra dhe ambicie jeton edhe në fshat", është shprehur Rama. Sipas tij, për politikën e vjetër të këtyre 17 vjetëve, fshati nuk ka ekzistuar asnjëherë, si një hapësirë të drejtash dhe lirish të barabarta, për të gjithë ata shqiptare e shqiptarë. Për ne, tha Rama, është e papranueshme, që të rejat dhe të rinjtë, që lindin dhe rriten në fshat, që shkollohen në fshat me sakrificat e patregueshme të prindërve, kanë si rrugë të vetme arratinë, ose papunësinë, pasi dyert e universitetit për ta, janë dyer të mbyllura, pasi një pakicë shumë e vogël e tyre ka mundësi të hyjë në universitet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›