E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Djajtë e kuq” eliminojnë Interin



Mançester Junaitid eliminoi një nga favoritët më të mëdhenj për të fituar Ligën e Kampioneve, duke mposhtur 2-0 në “Old Traford” Interin e Hoze Murinjos. Zikaltrit mbesin kështu edhe për në vit tjetër jashtë Europës. Barcelona i mbylli llogaritë shpejt e shpejt me Lionin (5-2).

MANÇESTER-INTER 2-0
Rajan Gigs ekzekutoi një goditje këndi nga e djathta, duke e hedhur topin në zonën e rreptësisë, dhe aty, i lirë, mbrojtësi i Mançesterit, Nemanja Vidiç (4’), goditi fuqishëm me kokë nga një distancë prej dhjetë metrash, duke e bërë të pavlefshme përpjekjen e portierit të Interit, Hulio Sezar. Mançesteri shpërdoroi një rast të mirë për të dyfishuar kur pas një kombinimi të bukur midis Gigsit, Runit e O’Shisë, ky i fundit, edhe pse doli i lirë përballë Hulio Sezarit, nuk mundi të shënonte. Interi doli nga gjendja pasive duke u organizuar në mesfushë e parë më shumë nga porta e Van der Sarit. Maikon ekzekutoi një goditje të lirë nga ana e djathtë e sulmit të Interit, topi mbërriti te shtylla e dytë, Rio Ferdidand, edhe pse kërceu, nuk e largoi dot topin, që mbërriti më pas te Ibrahimoviç, që me kokë goditi shtyllën. Disa minuta më pas ishte portieri i Mançesterit ai që bëri mrekullinë, duke shmangur një gol të sigurt pas goditjes së Stankoviçit. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për “Djajtë”, që arritën të shënonin golin e dytë pa kaluar ende katër minuta lojë të fraksionit të dytë. Dhe kësaj radhe ishte Kristiano Ronaldo. Runi krosoi në zonë, portugezi i shpëtoi mbulimit të Samuelit, duke realizuar edhe golin e nokautit për Interin.

BARCELONA-LION 5-2
Ndeshje e ritmit të lartë dhe bollëkut të golave. Tieri Henri realizoi një gol pa shumë mundime në minutën e 25-të, pas një pasi të zgjuar nga Markez. Dy minuta më pas francezi i Barcelonës dyfishoi shifrat pas topit të dhënë nga Ksavi. “Uragani” katalanas vazhdoi me Mesin (40’), i cili realizoi një gol ëndrrash pas një pasimi të Etosë. Pas tre minutash ishte vetë kamerunasi që i shërbyer nga Henri realizoi golin e katërt për Barcelonën në të 43’. Pa kaluar as 60 sekonda, Makun shndërroi në gol harkimin e Zhuninjos. Në fillimin e pjesës së dytë, në të 48’ ishte braziliani i Lionit, Zhuninjo Pernambukano, ai që shkurtoi shifrat në 4-2 pas veprimit të bukur të Delgados. Në fundin e takimit zëvendësuesi Keita shënoi golin e pestë për Barcelonën.

PORTO-ATLETIKO M 0-0
Porto e Atletiko e Madridit u ndanë në barazim pa gola, por falë dy golave të realizuar në barazimin e 2-2 në transfertë e Madridit dy javë më parë, portugezët zunë një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

12 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›