Meta, vizitë në Barcelonë, takon sekretarin e përgjithshëm të Bashkimit për Mesdheun
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në selinë e Sekretariatit të Përgjithshëm të Bashkimit për Mesdheun, në Barcelonë, ku u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i BpM-së, Ahmad Masa deh.
Meta përshëndeti zgjedhjen e Masa deh në postin e rëndësishëm të Sekretarit të BpM-së, si një diplomat me profil të lartë e të konsoliduar dhe e siguroi atë për mbështetjen e gjithanshme dhe të fuqishme të Shqipërisë në kryerjen e detyrës së tij të re. Ilir Meta u shpreh, gjithashtu, se angazhohet të jap ndihmesën e vet për funksionimin e Sekretariatit të Përgjithshëm, duke kontribuar me personel dhe mbështetje financiare. Nga ana tjetër, u shpreh Meta, Shqipëria është e gatshme të luaj një rol sa më aktiv në gjirin e BpM-së dhe për këtë ofrohet të jetë vendi pritës i takimeve në nivel ministrash në të gjitha fushat e veprimtarisë, si energji, bujqësi, mjedis, turizëm etj. Meta i shprehu Sekretarit të Përgjithshëm të BpM-së se kjo vizitë është shprehje e dimensionit mesdhetar të politikës së jashtme të vendit tonë. Edhe pse për Shqipërinë përbën prioritet integrimi në strukturat europiane, ajo e sheh angazhimin në BpM si një vlerë të shtuar të politikës sonë të jashtme.
Zëvendëskryeministri Ilir Meta e ftoi Masa`deh të kryejë një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u pranua me kënaqësi nga Sekretari i Përgjithshëm i BpM-së. Nga ana e tij Ahmad Masa`deh u shpreh se është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju pres sot në selinë e Sekretariatit të Përgjithshëm të Bashkimit për Mesdheun. Vizita juaj, tha Masa’deh, ka një vlerë të dyfishtë: së pari, ajo ka një vlerë simbolike për ne, duke qenë se ju jeni i pari Ministër i Punëve të Jashtme i një vendi anëtar të BpM-së që vizitoni selinë e re të Sekretariatit dhe, së dyti, kjo vizitë është shprehje e vullnetit të Shqipërisë në mbështetje të veprimtarisë së Sekretariatit, por edhe të bashkëpunimit me BpM-në dhe vendet anëtare si në rrafsh shumëpalësh ashtu edhe dypalësh. Masa’deh e siguroi Metën se roli dhe kontributi i Shqipërisë janë të mirëpritur dhe të vlerësuar në të gjitha nivelet e veprimtarisë së Bashkimit për Mesdheun.