E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, aksion ligjor për të mos lejuar thyerjen e Kushtetutës

Deputeti demokrat, Halimi konkretizon nismën e shumicës, për të rikthyer besimin e Kushtetutës në institucione të rëndësishme, siç është Gjykata Kushtetuese

"çdo institucion do vendoset brenda kuadrit kushtetues dhe s’do lejohen më precedentë të tillë të shkles së Kushtetutës". Kështu është shprehur sekretari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, duke iu referuar çështjes së hapur së fundmi mes presidentit të Republikës dhe mazhorancës, për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Deputeti i PD-së dhe njëherazi anëtari i komisionit parlamentar të ligjeve, Eduard Halimi, e konsideroi si të paprecedentë aktin e kreut të shtetit, duke iu përmbajtur qëndrimit fillestar se ka shkelur Kushtetutën. Nisur nga ky fakt, deputeti i mazhorancës tha se PD do nisë brenda pak ditësh aksionin e saj ligjor për të detyruar presidentit Bamir Topi të respektojë afatet në emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Halimit, shumica nuk do të presë shtatorin për të patur konstituimin e gjykatës, por është e detyruar të veprojë që gjatë muajit gusht.
“Unë do t’ju garantoj se ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendje gjithçka që po ndodh, jemi duke ndjekur me vëmendje situatën dhe jemi duke menduar në çdo moment për të zgjidhur këtë problem të madh, këtë akt të rëndë dhe të paprecedentë që ka ndodhur, ku kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën. Unë do t’ju garantoj se ne kemi të gjitha mjetet dhe mundësitë për të rivendosur çdo institucion në kuadrin kushtetues, në kornizën kushtetuese dhe për të mos lejuar askënd që të thyejë Kushtetutën, qoftë dhe nga ideja e tij se mund të mungojë një hapësirë, ose një hapësirë tjetër, apo se mund të ketë një vakum apo një vakum tjetër. Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka asnjë vakum, shteti ligjor nuk ka asnjë vakum dhe ne i kemi të gjitha mjetet për të vendosur respektimin e ligjit gjithëkund. Sigurisht, në institucionin kryesor që është garant i Kushtetutës, që është Gjykata Kushtetuese”- deklaroi Sekretar i Grupit Parlamentar te PD, Eduard Halimi.
Halimi shton me tej se mazhoranca është e gatshme që në çdo moment të mbledhë Parlamentin qoftë edhe gjatë gushtit për të miratuar kreun e ri të Gjykatës Kushtetuese, e drejtë propozimi, e cila i njihet vetëm kreut të shtetit.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ashtu siç ka treguar gjatë gjithë këtij viti një përgjegjshmëri të jashtëzakonshme në ushtrimin e mandatit të popullit, është e gatshme të tregojë një përgjegjshmëri akoma më të lartë për t’u mbledhur, zhvilluar një seancë për t’i dhënë fund mungesës së kushtetueshmërisë së institucionit më të lartë të drejtësisë shqiptare, siç është Gjykata Kushtetuese”- deklaroi deputeti demokrat, Halimi.
Ndonëse nuk ka patur qoftë edhe një reagim të vetëm zyrtar nga ana e Presidentit të Republikës, këshilltari i juridik i tij, Spiro Peçi ka deklaruar se kreu i shtetit nuk e ka shkelur kushtetutën dhe se emërimet përkatëse do t’i bëjë pas pushimeve, pra në muajin shtator. Por nga ana tjetër, juristë, ish ministra të Drejtësisë dhe konstitucionalistë, deklarojnë se presidenti i Republikës ka shkelur kushtetutën dhe se Vladimir Kristo qëndron në krye të detyrës në mënyrë të paligjshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›