Rama përbalt sërish ekonominë, Financat e akuzojnë për shpifje

Zëdhënësja e institucionit u shpreh se kryetari i socialistëve fillimisht e konsideroi krim rritjen e pagave dhe pensioneve, ndërsa sot u paraqit me lot krokodili për pensionistët shqiptarë
Ministria e Financave i konsideron shpifje të rëndomta deklaratat e Edi Ramës se ekonomia shqiptare është në krizë të thellë. Zëdhënësja e Ministrisë, Anisa Serbo, u shpreh se kryetari i socialistëve vazhdon të shpifë dhe trillojë në mënyrë të papërgjegjshme për një realitet të pakthyeshëm, siç është rritja e konsiderueshme ekonomike, e cila reflektohet nga rritja e pagave dhe pensioneve, investimet e gjithanshme në infrastrukturën rrugore dhe mbështetja sociale e pakursyer. Të gjitha këto po realizohen në sajë të rritjes ekonomike dhe pritet që shkurtimet e fundit buxhetore të konfirmojnë prosperitetin e zhvillimit ekonomik të vendit. Zëdhënësja e Ministrisë së Financave, vuri në dukje se kur partia e Ramës ishte në pushtet fondi për pensionet ishte 15 miliardë lekë, ndërsa aktualisht është 109 miliardë lekë. “Edi Rama, në daljen e tij para mediave, shpifi! Shpifi dhe trilloi përsëri për situatën ekonomike. Njeriu, që, vetëm një muaj e gjysmë më parë, e konsideroi krim rritjen e pensioneve, u paraqit me lot krokodili për pensionistët shqiptarë. Edhe njëherë, lidhur me këtë çështje duhet t’i deklarojmë zotit Rama se ai dhe partia e tij, kur ishin në pushtet, kishin një fond total për pensionet prej 15 miliard lekësh kundrejt 109 miliard lekë, që është fondi aktual, i cili shpenzohet për 520 mijë pensionistët shqiptarë. I kujtojmë zotit Rama se, në qeverisjen e tij, 170 mijë pensionistë të fshatit kishin një pension prej 36 mijë lekësh, kurse, sot, këta pensionistë kanë një pension prej 77 mijë lekësh dhe se pensionet e tjera, gjatë këtyre viteve janë rritur nga 66 deri në 110% “- u shpreh zëdhënësja, Serbo. Ajo vuri në dukje se në trillimet e tij, Rama deklaron se kanë humbur 100 mijë vende pune dhe se shpreh shqetësimin e madh për sistemin e fasonit, ndërkohë që është krejt e kundërta, pas vetëm nga janari i këtij viti e deri më tani janë punësuar 20 mijë qyteatrë. “U bëjmë me dije shqiptarëve se, sipas statistikave të pakundërshtueshme të sigurimeve shoqërore dhe tatimeve të vendit janë mbi 20 mijë qytetarë shqiptarë më shumë se një vit më pare, që paguajnë sigurimet shoqërore. Pra, janë mbi 20 mijë vende pune të krijuara gjatë këtij viti, kurse industria e fasonëve ka rritur me 27% eksportet e saj dhe mbi 20% punësimin në këtë sektor”- deklaroi më tej, zëdhënësja Anisa Serbo. Ministria e Financave thekson se z. Rama mund të përdorë sa të dojë dëshmitarë të rremë, por ai nuk mund të mbulojë dot të vërtetën e ekonomisë shqiptare, atë të vërtetë, që certifikojnë si Ministria e Financave, ashtu edhe institucionet ndërkombëtare.
...