E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, vizitë zyrtare në Francë

Zv.kryeministri

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Francë. Me ftesë të homologut të vet, Bernard Kushner, numri dy i qeverisë shqiptare do të mbërrijë në Paris, ku pritet të diskutohet rreth zhvillimeve më të fundit në rajon, si dhe proceseve të integrimit të Shqipërisë. Duhet thënë se kjo është një nga vizitat e nivelit të lartë që Ilir Meta zhvillon që prej marrjes së detyrës, gjë e cila ka rëndësi jo vetëm për nismat e diplomacisë, por edhe për intensifikimin e marrëdhënieve me Francën. Në drejtim të Parisit, duhet kujtuar vizita e fundit e Kryeministrit Sali Berisha, përpara zgjedhjeve të përgjithshme, ku ai u prit nga Presidenti Nikolas Sarkozi. Ndërkohë, takimi Meta–Kushner ka një rëndësi të veçantë, sepse ai vjen përpara samitit të Sarajevës, që do të mbahet në fillim të qershorit. Lobimi për liberalizimin e vizave është në këtë kontekst me shumë rëndësi për qeverinë shqiptare, por edhe për ministrin e Jashtëm, që ka përballë një sfidë edhe personale. Kjo, pasi në takimin informal të ministrave të Jashtëm të NATO-s, në Talin, para pak javësh, Kushner ishte një ndër protagonistët e mbështetjes për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Miratimi publik i tij në këtë drejtim i ka dhënë Parisit një rëndësi specifike për ambicien e Tiranës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›