Policia bllokon një gomone dhe dy persona, por droga hidhet në det
Rikthehen tentativat për trafik droge nga rrugët detare, por këtë radhë, policia kufitare ka mundur të zbulojë skafin, duke arrestuar dy drejtuesit e tij, por që nuk kanë mundur të kapin asnjë gram drogë. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se nga një operacion i përbashkët me strukturat e policisë italiane është bërë i mundur bllokimi i një mjeti lundrues tip gomone rreth 9 m i gjatë, me tre motorë, si dhe arrestimi i dy shtetasve shqiptarë. Në pranga përfunduan Valentin Ndoj, 22 vjeç, nga Fushë-Kruja dhe Arben Isufi, 29 vjeç, nga Delvina. Konkludimi i këtij operacioni që çoi në bllokimin e mjetit lundrues, së bashku me dy personat që ndodheshin në bord, ishte rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit në kohë të informacionit ndërmjet strukturave policore të të dy vendeve. Mjeti lundrues është konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare në orët e para të ditës së djeshme, teksa lëvizte me një shpejtësi të madhe në drejtim të ishujve të Fanosit në Greqi. Menjëherë janë informuar të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit, si dhe u morën masa dhe u përforcuan shërbimet në det dhe në tokë gjatë gjithë vijës bregdetare. Njëkohësisht në ndjekje të këtij mjeti janë vënë shërbimet e Delta Forcës, si dhe mjeti i Guardia di Finanzia në Vlorë, në bordin e të cilit është i dislokuar dhe një punonjës i Policisë Kufitare Shqiptare, 24 orë pa ndërprerje. Gjatë ndjekjes, mjeti lundrues ka ndërruar kursin e lëvizjes duke iu drejtuar brigjeve italiane. Për këtë fakt menjëherë nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare u vunë në dijeni autoritetet policore italiane. Ndjekja e mjetit më pas ka vijuar në ujërat territorialë italianë. Në ndihmë të mjetit të Guardia di Finanzia në Vlorë, autoritetet policore italiane kanë vënë në dispozicion dhe një helikopter. Si rezultat i kësaj ndjekjeje rreth orës 02.45’, në jug të brigjeve italiane, është bërë i mundur bllokimi i mjetit lundrues, si dhe kapja e dy personave që ndodheshin në bord, Valentin Ndoj dhe Arben Isufi. Strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunojnë me autoritetet policore italiane për hetimin e plotë të këtij rasti, pasi dyshohet se mjeti lundrues shërbente për trafik lëndësh narkotike. Kjo është një tjetër tentativë për trafik droge drejt shteteve të tjera, por sipas policisë, konkludimi i këtij operacioni tregon dhe një herë që janë marrë të gjitha masat e duhura për goditjen në kohë të çdo tentative trafikimi.
#