Punimet, faza e parë do të kushtojë 4.3 milionë euro
Projekti për rivitalizimin e sheshit “Skënderbej” financohet nga një grant i Emirit të Kuvajtit për Bashkinë e Tiranës. Faza e parë e punimeve është llogaritur të arrijë vlerën prej 4 milionë e 300 mijë euro. Ajo do të realizohet nga një kompani kuvajtiane. Në fazën e parë të projektit është parashikuar që të realizohen punimet e infrastrukturës inxhinierike nëntokësore në të gjithë sipërfaqen ku është parashikuar të shtrihet sheshi i ri “Skënderbej”. Në këto punime është parashikuar ndërtimi i një dhome teknike pranë monumentit aktual të Skënderbeut. Ajo është projektuar të ndërtohet në një thellësi rreth 9 m nga niveli i sheshit në të cilën do të instalohen rezervuarët e ujit teknologjik dhe atij për vaditje, si dhe pompat e pajisjet e nevojshme për funksionimin e shatërvanëve të sheshit të ri. Po kështu, për rikonstruksionin e sheshit do të ndërtohen edhe dy galeri të nëndheshme, të cilat do të përdoren për instalimin e të gjitha kabllove dhe tubacioneve që parashikohet të përshkojnë kuadratin qendror të kryeqytetit në të dy drejtimet kryesore: Veri-Jug dhe Lindje–Perëndim. Galeria e parë do fi llojë të ndërtohet në Bulevardin Zogu I, pranë “Veve Center”, do kalojë përpara Pallatit të Kulturës, përpara ndërtesës së bashkisë dhe do të përfundojë në kryqëzimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Myslym Shyri”. Galeria e dytë do fi llojë të ndërtohet në Rrugën e Kavajës përpara ndërtesës së Bankës së Shqipërisë, do përshkojë sheshin e sotëm përpara monumentit të Skënderbeut dhe do përfundojë në kryqëzimin e rrugës “Luigj Gurakuqi” me Unazën e Vogël. Në të dyja këto nënobjekte parashikohet të punohet paralelisht. Projekti, që sipas drejtuesve të Bashkisë së Tiranës është në duart e tyre dhe të inxhinierëve që kanë nisur punimet, përmban edhe ndërtimin e disa kolektorëve për ujërat e zeza dhe të bardha që do të sistemojnë të gjitha derdhjet e institucioneve që janë të vendosura në periferinë e sheshit “Skënderbej”, si dhe ujërat e të gjitha rrugëve që lidhen me sheshin. Punimet për nënshtresat e sheshit të ri, si dhe bazamentet e shatërvanëve dhe kanalizimet e tyre parashikohet të zgjatin për një periudhë 9-mujore.
#