Rama i zë sheshin Berishës. Meta bën gati mitingun e tretë
Prilli do të jetë muaji i ethshëm i mitingjeve. Teksa nuk kanë arritur të zgjidhin krizën politike në institucione, pasi kanë dështuar edhe në tryezën e kreut të shtetit, kampet politike zbresin në sheshe, aty ku edhe u nisën. Nëse nuk mjaftonin dy mitingje, njëri protestë e tjetri festë, dje u paralajmërua edhe një tjetër tubim i organizuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Të tria palët do të përpiqen t’i mbushin mendjen qytetarëve se kauzat e tyre janë të drejta. Socialistët do të kërkojnë mbështetjen për largimin e qeverisë, kjo e fundit reklamim për suksesin e reformave dhe LSI “autorësinë” e përshpejtimit të integrimit.
SheshetKryetari i Partisë Socialiste, dje në cilësinë e kryebashkiakut, i “përvetësoi” një pjesë të mirë të sheshit “Skënderbej” rivalit të tij politik Sali Berisha një muaj para mitingut festiv të 1 majit. Rama, së bashku me punonjësit e bashkisë, rrethuan pjesën qendrore të sheshit, duke deklaruar fillimin e punimeve për rindërtimin e tij. Sheshi “Skënderbej” dhe pikërisht vendi ku u bllokua dje nga bashkia, konsiderohet si pjesa kryesore që përdoret për mitingje nga Partia Demokratike. Ky nuk mbetet problemi i vetëm, pasi në fundin e muajit prill ekziston rreziku që mbështetësit e dy partive kryesore politike të përplasen me njëri-tjetrin. Partia Socialiste brenda kësaj jave ka programuar nisjen e protestave, të cilat do të kulmojnë më 30 prill me një miting madhështor në kryeqytet. Ndonëse zyrtarisht nuk konfirmohet, ka gjasa që strategjia e socialistëve të jetë e njëjtë me atë të mitingut të zhvilluar më 20 nëntor të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se nëse turma e mbështetësve të opozitës do të vijojë të jetë në bulevard edhe pas mesnatës së 30 prillit mund të jetë aty edhe kur të fillojë mitingu festiv i paralajmëruar nga Partia Demokratike më 1 maj. Nuk dihet ende nëse diçka e tillë do të ndodhë dhe se si mund të menaxhohen dy turma të tilla në një situatë politike të mbushur me tension, akuza dhe kundërakuza.
ReplikaDeputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, replikoi dje në distancë me drejtuesit e Partisë Demokratike dhe mitingun festiv të 1 majit, të paralajmëruar prej tyre. Balla tha se “më 1 Maj festojnë diktatorët dhe protestojnë punëtorët e thjeshtë”. Por, vijoi ai, dua t’i kujtoj Sali Berishës që në listën e gjërave që ka për të festuar më 1 maj të fusë edhe faktin që kilja e preshit ka vajtur 1500 lekë. Balla këmbënguli në protestat kundër pushtetit të një familjeje të vetme, që sipas tij, nuk pranon t’i hetohet as pasuria dhe as mënyra sesi e ka marrë pushtetin. “Dy komisione hetimore nuk pranon Sali Berisha: Komisioni hetimor për zgjedhjet dhe komisionin hetimor për pasurinë e familjes së vet”, u shpreh Balla. Ai këmbënguli se pushteti i vjedhur i Sali Berishës duhet larguar domosdoshmërisht, duke përdorur çdo mjet demokratik. “Më lejoni të ripërsëris se Partia Socialiste do të jetë në Kuvend vetëm për një arsye: transparencën e 28 qershorit. Sepse nuk mund të ketë një Parlament normal që nuk ushtron dot të drejtën e vet kushtetuese për transparencë”, theksoi Balla.
#