E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalendari, shkelet rregullorja e Kuvendit

Sipas ligjit bazë, duhet të bëhet publike dy ditë para seancës

Shkelet rregullorja e Kuvendit për publikimin e kalendarit të punimeve të komisionit dhe seancave plenare. Në mënyrë të përsëritur, plani i punës së legjislativit nuk bëhet i ditur në publik, por mësohet vetëm në seancat e së enjtes, kur lexohet në sallë nga Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Në rregulloren e Kuvendit, përkatësisht në nenin 27 të saj,në pikën 5, ku theksohet në mënyrë të qartë se “Kalendari i punimeve të Kuvendit përmban në mënyrë të detajuar kohën kur Kuvendi zhvillon punimet në seancë plenare dhe në komisione. Kalendari publikohet dhe u shpërndahet deputetëve, si dhe u vihet në dispozicion përfaqësuesve të medias. Në çdo rast, rendi i ditës duhet të jetë bërë publik të paktën 2 ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen e komisionit ose seancës plenare”. Ndërkaq, në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë, është i afishuar kalendari i punimeve të seancave plenare nga data 4 mars deri më datën 18 mars. Ndërsa në këndin ku afishohet rendi i ditës rezulton i publikuar axhenda parlamentare e datës 25 shkurt. Sipas rregullores “Për zbatimin e programit të punës së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit i propozon Konferencës së Kryetarëve kalendarin e punimeve të Kuvendit për një periudhë 3-javore. Në mbledhje merr pjesë edhe anëtari i Këshillit të Ministrave, i ngarkuar të mbajë lidhjet me Kuvendin. Projektkalendari i punimeve u jepet kryetarëve të grupeve parlamentare dhe anëtarit të Këshillit të Ministrave të paktën 4 ditë para zhvillimit të mbledhjes. Kalendari i miratuar me mirëkuptim në Konferencën e Kryetarëve bëhet i detyrueshëm për zbatim, pasi i njoftohet Kuvendit”. Por në mënyrë të përsëritur, kjo nuk bëhet e ditur nga administrata e Kuvendit, edhe pse ka pasur disa herë deklarata se do të ishin transparentë me mediat dhe publikun për këtë çështje. Vetëm në Shqipëri, publikimi i pikave të rendit të ditës së seancës plenare të radhës përbën lajm, pasi sigurohet në mënyrë informale nga gazetarët nëpërmjet burimeve që ata kanë në selinë e legjislativit shqiptar. Ndërkaq, në parlamentet e të gjithë botës, botimi i programit dhe i kalendarit është një rutinë normale dhe mund të mësohet nga çdo qytetar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›