E Diel, 1 Nëntor 2026

Bregu: Kriza politike nuk është përfshirë në pyetësor

Deklarata Por drejtori për zgjerimin në BE, Mirel, deklaroi nga Tirana se po s’u zgjidh kriza ka probleme

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi dje se kriza politike nuk është përfshirë në pyetësorin e Komisionit Europian për Shqipërinë, ndërkohë që Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Bruksel, Pierre Mirel, më 12 mars deklaroi në Tiranë se kriza politike është pengesa kryesore e Shqipërisë për integrimin. Duke folur në një intervistë për “Alsat”, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, u shpreh se Brukseli nuk mund të parashikonte trendin e një përplasjeje të pajustifikuar shkaktuar nga luhatjet e humorit të kreut të opozitës. "Nuk mundet që në pyetësor të përfshihet trendi se çfarë do të ndodhte me Shqipërinë apo me krizën politike. Nuk do të thotë që Brukseli rinte me laps në dorë për të mbajtur shënim të gjitha lëvizjet absurde të opozitës. Më 16 dhjetor, as Brukseli dhe as ne nuk e dinim sa do të zgjaste bojkoti. As Brukseli dhe as ne nuk e dinim që opozita herë do të hynte dhe herë do të dilte nga Parlamenti, as Brukseli dhe as ne nuk e dimë sot e kësaj dite që opozita do të hyjë për të qëndruar në Parlament, apo do të hyjë vetëm për të folur për kutitë në Parlament, apo do të dalë nga Parlamenti. Nuk mund të kishte pyetje për një sjellje anormale, sepse dokumenti nuk pyet për parashikim", tha Bregu. Megjithatë, kriza politike në Tiranë mund të vonojë përgjigjen, për proceset e mëtejshme, pavarësisht korrektësisë me të cilën i është përgjigjur 2284 pyetjeve të pyetësorit. Situata aktuale sipas ministres Bregu, nuk mund të quhet ideale. "Sigurisht, nuk ishte ajo që duhej të ndodhte në këtë moment kur ne po plotësonim detyrimet tona zyrtarisht përballë Komisionit Europian. Të mos kishim pasur një situatë politike e cila lë mundësi për të kërkuar më tej përmirësim, ndërhyrje, zgjidhje të krizës. Pra, do të kishte qenë idealja që ne të kishim dëshmuar një, le të themi, mundësi dhe realitet bindshëm për Europën. Njerëzit që janë angazhuar nuk janë pak, por janë 1200 dhe nuk numëroj këtu nëpunësit e Ministrisë së Integrimit. Dhe sigurisht, nuk është as për ta e ndershme, një punë në të cilën u ka marr orë dhe ditë të tëra më shumë se tre muaj rresht, të rrezikohet ose të ketë një vonesë në dhënien e mendimit për faktin se një opozitë e një lideri të papërgjegjshëm ka kryer një sjellje politike të papërgjegjshme për muaj me radhë", vijon Bregu. Në fakt, kriteri politik ka zënë pjesën thelbësore të takimit të Komitetit të Stabilizim-Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së që u zhvillua më 12 mars në kryeqytetin shqiptar. Mirel deklaroi se “Ne mirëpresim kthimin e anëtarëve të PS-së në Parlament. Ky është një zhvillim politik dhe shpresojmë që diskutimet që po ndodhin në Komisionin e çështjeve Ligjore të çojnë në zgjidhje të kënaqshme dhe të përhershme. Dhe prandaj kërkesa ime për këtë komision do të ishte që të gjendeshin zgjidhje që do të çojnë në marrëveshje në konsensus, sepse ky është esencial thelbësor që Shqipëria të tregojë se është demokraci e pjekur”

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›