E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Xhindi", hetime për një shesh ndërtimi

Një javë pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, grupi i hetimit është përqendruar te pista e pronave. Mësohet se dy prokurorë të Krimeve të Rënda dhe një prokuror nga Prokuroria e Fierit kanë shkuar të enjten pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Fier, me një kërkesë për vënien në dispozicion të dokumenteve. Dje, prokurorët mësohet se kanë marrë nga Hipoteka të gjitha dosjet për pronat e deputetit Fatmir Xhindi.

Ndërsa të hipotekuar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe me vërtetim pronësie, deputeti 49-vjeçar ka vetëm një sipërfaqe prej 1.48 hektarësh tokë ullishta dhe arë, grupi i hetimit ka tërhequr edhe një dosje ku një i afërm i deputetit kishte kërkuar vërtetim pronësie për një sipërfaqe ku mendohet se do të ngrihej një pallat shumëkatësh.

Sipas burimeve nga grupi i hetimit, bëhet e ditur se një shkak i mundshëm i ekzekutimit të Fatmir Xhindit mund të jetë mosmarrëveshja për ndërtimin e një pallati. Në lagjen "1 Maji" të qytetit të Fierit, në rrugën për në drejtim të qytetit të Patosit dhe Roskovecit, një banor i lagjes ka pasur një sipërfaqe toke prej 800 metrash katrorë. Mësohet se 500 metra katrorë nga kjo sipërfaqe u është shitur dy personave që janë të afërt dhe të njohur të deputetit të vrarë. Bëhet fjalë për një krushk të familjes Xhindi me inicialet L.F si dhe ortakun e tij me inicialet K.Xh. I pari, ai që ka lidhje krushqie me Fatmir Xhindin, me anën e një deklarate noteriale, ka marrë të gjitha atributet e të orientuarit të pronës që në fakt, mësohet prej grupit të hetimit, është blerë nga deputeti Fatmir Xhindi. Funksioni i deputetit nuk e lejonte Fatmir Xhindin të deklarohej si sipërmarrës në fushën e ndërtimit, ndaj në skenë ka hyrë një person i afërm me të cilin kishin lidhje krushqie e që është shtetasi L.F.

Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Fierit, grupi i prokurorëve është përqendruar te kjo dosje, e cila është depozituar pranë Hipotekës së Fierit për të marrë një vërtetim pronësie pak javë më parë, me qëllim që më pas të aplikohej për leje ndërtimi. Grupi i hetimit, nga shqyrtimi i dosjes, ka vërtetuar se bëhet fjalë për sheshin e një pallati, pronësia e të cilit në dokumente është mes dy ortakëve, por që pas zbërthimit të akteve noteriale ka dalë se ishte e deputetit të vrarë mbrëmjen e 2 majit.

Përveç dokumenteve dhe dosjes që ka tërhequr nga Hipoteka e Fierit, grupi i hetimit ka mbledhur dëshmi që vërtetojnë se deputeti ka pirë të shtunën një kafe, në një lokal pranë sheshit të ndërtimit, për të cilën bën fjalë dosja ku dhe është përqendruar hetimi. Mësohet se të dy ortakëve L.F. dhe K.Xh. u janë kërkuar sqarime për këtë çështje, madje ata janë marrë edhe në pyetje.

Dje, nga Roskoveci janë tërhequr të gjitha shërbimet policore dhe mësohet se hetimi është përqendruar në dëshmitë dhe dokumentet e dosjeve të pronave.

Pallati

Dy personat që "punonin" për deputetin

Në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Fierit, grupi i prokurorëve është përqendruar te një dosje, e cila është depozituar pranë Hipotekës për të marrë një vërtetim pronësie pak javë më parë, me qëllim që më pas të aplikohej për një leje ndërtimi. Grupi i hetimit, nga shqyrtimi i dosjes, ka vërtetuar se bëhet fjalë për sheshin e ndërtimit të një pallati shumëkatësh në lagjen "1 Maji", pronësia e të cilit në dokumente është e dy ortakëve me inicialet L.F. dhe K.Xh. Pas zbërthimit të akteve noteriale ka dalë se kjo pronë ishte e deputetit të vrarë mbrëmjen e 2 majit, Fatmir Xhindi

Dokumentet

Pronat e deputetit Xhindi

Në Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive në Tiranë, deputeti Xhindi ka të deklaruar dy shtëpi, dy makina dhe një sipërfaqe toke. Një nga shtëpitë është në Roskovec dhe një në Tiranë. Ndërkohë që pranë Hipotekës së Fierit, në emër të Fatmir Faslli Xhindit është vetëm një sipërfaqe prej 14800 metrash katrorë tokë, që e ndarë në detaje është tokë arë, ullishte, djerrë etj. Për këtë sipërfaqe, deputeti ka marrë edhe Hipotekën, ndërsa banesa e tij dykatëshe nuk ka ende hipotekë. Vetëm dy vëllezër të deputetit Xhindi kanë tokë të regjistruar në Hipotekë. Bëhet fjalë për Sybi dhe Xhemil Xhindin, të cilët kanë një sipërfaqe prej afro 11230 metrash katrorë tokë. Fatmiri dhe dy vëllezërit e tij i kanë përfituar këto sipërfaqe tokash me anë të Ligjit 7501 dhe deklarohet se përfitimi ka qenë konform ligjit.

Qëndrimet

Deklaratat në Lushnjë e Fier nga deputetët Gramoz Ruçi dhe Rajmonda Stefa

Socialistët thyejnë heshtjen,

akuza policisë për paaftësi

Gramoz Ruçi, i ngarkuari i Kryesisë së Partisë Socialiste për fushatën elektorale në Qarkun e Fierit, thyen zinë. Gjatë takimeve të para pas vrasjes së deputetit të PS-së Fatmir Xhindi. Tw zhvilluara në Komunat Allkaj dhe Dushk të Lushnjës, Ruçi e ka cilësuar moszbardhjen e vrasjes së deputetit të PS-së si një akt kriminal që ndodh në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s. Ruçi ka thënë se vrasja mafioze e Fatmir Xhindit nuk do të përdoret për kredo politike, ashtu siç ka bërë më parë mazhoranca aktuale, por qeveria dhe autoritetet shtetërore duhet të deklarojnë shumë shpejt një autor.

"Një deputet është vrarë në prag të fushatës elektorale. Një deputet humbi jetën si rezultat i një akti kriminal dhe nuk po gjendet as sot e kësaj dite krimineli anonim. Në vend që qeveria të shpaloste përgjegjësitë e veta për evidentimin, kapjen dhe vënien përpara drejtësisë dhe ligjit të kriminelit, apo sipas të drejtave kushtetuese të shpallte një ditë zie, siç e patë, të nesërmen e varrimit, Kryeministri aktual i vendit zhvillonte qokun elektoral me nxënësit e shkollave në qytetin e Vlorës", u shpreh Gramoz Ruçi.

"Fatkeqësisht, pas 18 vjetësh demokraci, sot në shekullin e ri, në Shqipëri ndodhin fenomene të tilla që nuk kanë asgjë të përbashkët me shtetin e së drejtës, me shtetin ligjor, në një vend që për fat të mirë aderon në NATO. Aderimi në NATO do të thotë më shumë demokraci, më shumë liri dhe mbi të gjitha më shumë siguri", u shpreh më tej Ruçi. Sipas tij, fakti që një deputet i opozitës vritet në derën e shtëpisë i bën të pavlefshme deklaratat e qeverisë për rezultate të larta për parandalimin dhe zbulimin e krimit të organizuar.

Ruçi tha gjithashtu përpara shumë pjesëmarrësve në takimin e zhvilluar në Komunat Allkaj dhe Dushk të Rrethit të Lushnjës se "opozita nuk ka bërë atë që ka bërë në të kaluarën mazhoranca e sotme, pra nuk e kemi përdorur as për betejën elektorale, as për kredo morale politike".

Mosgjetja e autorit edhe një javë pas vrasjes së Fatmir Xhindit ka sjellë edhe reagimin e deputetëve të tjerë të PS-së. Rajmonda Stefa, deputete e Fierit, e ftuar në një nga televizionet lokale, tha se policia joprofesioniste po ndikon në moszbardhjen e vrasjes së deputetit Xhindi. "Që nga viti 2005 e në vijim, në radhët e policisë kanë ikur profesionistët dhe policia, kryesisht ajo e Fierit, është mbushur me militantë, që nuk mund të tregojnë asgjë tjetër përveç paaftësisë dhe kjo polici nuk mund të gjejë dot autorin e vrasjes së Fatmir Xhindit", u shpreh Rajmonda Stefa.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›