Metalla: Rama ka frikë nga rezoluta, shmang përgjegjësitë e dokumentit të evropianëve
Deputeti i Partisë Demokratike Osman Metalla, akuzon kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se ka frikë nga drafti i evropianëve, për zgjidhjen e ngërçit politik dhe konfirmimin e rrugës së integrimit të vendit.
Metalla tha se “Edi Rama deklaroi publikisht se nuk e pranon Rezolutën e Parlamentit Europian, të miratuar dje me konsensusin e gjerë të grupeve politike në Strasburg. Në një takim me mediat, zoti Rama hodhi poshtë në përgjithësi Rezolutën dhe sidomos pikën 6 të saj”, u shpreh deputeti demokrat.
Sipas tij, Rama është në panik dhe dëshpërim të thellë pas votës në Parlamentin Europian, ku u votua për të mbështetur Shqipërinë për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pa kaluar 24 orë, ai refuzoi të marrë përgjegjësitë e qarta që i kërkon ky dokument. Deputeti i PD-së sqaroi se neni 178 i Kodit Zgjedhor, evidenton se me marrjen e fletëve të votimit të gjitha fletët e votimit dhe kundra fletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.
Ai theksoi më tej se refuzimi i rezolutës së Parlamentit Europian nuk është rasti i parë dhe as fenomen i shkëputur në qëndrimet e z. Rama ndaj mesazheve të institucioneve ndërkombëtare.