E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të përshpejtohet procesi i heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën”

Kryetari i Komitetit për Drejtësinë në PE, Lopez Aguilar

Lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë në hapësirën “Schengen” të Bashkimit Evropian po bëhet gjithmonë e më shumë faktike, nisur nga angazhimi i zyrtarëve të lartë të Brukselit. Apeli i radhës është i kryetarit të Komitetit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme në Parlamentin Europian, Huan Fernando Lopez Aguilar, i cili i ka kërkuar Presidencës belge të Bashkimit Europian që të përshpejtojë heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje – Hercegovinën. Përmes një letre, ai u kërkon ministrave të Brendshëm dhe të Jashtëm të Belgjikës, që të ndërmarrin hapat e duhur për ta shqyrtuar sa më shpejt propozimin e Komisionit Europian, që heqja e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën të trajtohet si çështje urgjente.
Një propozim i tillë u bë në nëntorin e shkuar në Komision dhe në Parlamentin Europian. Duke theksuar se raportet e Komisionit janë përgjithësisht pozitive dhe njohin progresin e dukshëm të bërë nga 2 vendet, bëhet thirrje që ekspertët t’i vizitojnë ato pa vonesë për të vlerësuar përmbushjen e kritereve të mbetura.
Në letër nënvizohet se duke ofruar liberalizimin e vizave për të dy vendet, do të rritet mbështetja për Bashkimin Europian si dhe ndihma për qeveritë e dy vendeve për të vijuar reformat. Heqja e vizave konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt evropianizimit të Shqipërisë dhe njëherazi rifitimi i dinjitetit i qytetarëve shqiptarë të barabartë me ata evropianë, pas viteve të tëra izolim politik dhe 20 viteve tranzicion.
Vendimi për liberalizimin e vizave pritet të merret në vjeshtë të këtij viti, pasi një grup ekspertësh të Komisionit Evropian, të verifikojnë për të fundit herë gjatë këtij muaji, kushtet e plotësuara nga autoritetet shqiptare. Zotimi i qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse është se detyrat e fundit të KE-së janë plotësuar dhe se nuk ka asnjë pengesë teknike lidhur me vizat dhe se fjala e fundit i përket Komisionit Evropian, i cili duhet të përcjellë një vlerësim korrekt dhe të pranueshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›