Emocionet e grupit C

Si gjithnjë ata që vuajnë më shumë janë tifozët. Për plot 90 minuta kur ndeshja nuk zgjat më shumë. Italianët u dukën në qiellin e shtatë gjatë gjithë pjesës së parë kur skuadra e tyre luajti e luajti, sulmoi, krijoi dhe goditi portën kroate, e ndalur më së shumti nga portieri Stipe Pletikosa.
Veçse pati vetëm një gol, ai i shënuar nga i shkëlqyeri Andrea Pirlo, por që nuk e mbylli dot ndeshjen.
Papritmas, në pjesën e dytë u shfaqën më së shumti tifozët e Kroacisë. Kjo, pasi ballkanasit e rritën lojën, duke qenë të fortë e të gjatë dhe duke pasur besim. Mario Manxhukiç barazoi pas gabimit të Kielinit dhe kroatët shpërthyen në entuziazëm, pas një stresi që zgjati shumë.
Italianët mbetën keq, s’kishte si të mbeteshin ndryshe. Dukej sikur nuk e besonin atë që shikonin. Një tifoz nga Bari thotë me bindje të plotë se “ndërsa ndaj Spanjës luajtëm mirë, ndaj Kroacisë ishim skuadra më e mirë në fushë, - u shpreh ai, - Kroacia është e fortë, por ne meritonim fitoren”.
Nga kroatët ka vetëm lehtësim. “Nuk e di si ia dolëm ta përballonim këtë tronditje”, - tha njëri prej tyre. Kjo tifoze me emrin Agnieska, gjithsesi trimërohet. “Ishte e vështirë në fillim, por besuam tek Kroacia jonë, nuk fituam, por sërish dolëm mirë”.
Në Gdansk, ku Spanja fitoi thellë 4-0 ndaj Irlandës, pati festë të madhe të të kuqve. Gëzimi dhe hareja nisën që në minutën e katërt dhe nuk përfunduan as pas mbylljes së takimit. Katër gola dhe një lojë e jashtëzakonshme bënë që tifozët të harronin të mbyllnin gojën e të ngjireshin paq.
Ndërsa spanjollët këndonin e hidhnin valle, ata irlandezë nuk mund të bënin gjë tjetër përveçse të shikonin ndeshjen që dukej sikur nuk mbyllej dhe të bisedonin me njëri-tjetrin, duket për ndonjë temë tjetër, jo për futboll apo për Europian.
Një irlandez pranon atë që ndodhi. “Jemi të tronditur, taktikat tona dolën të gabuara, - tha ai, - por, ne nuk kemi aq lojtarë të mirë. Spanja është shumë e fortë”.
Sa për spanjollët, ja ku kemi një zë që tregohet i kujdesshëm. “Mendoj se do të kualifikohemi, por mbetet e vështirë, sepse është edhe Gjermania, edhe ekipe të tjerë, - thotë, - por, kam besim se Spanja do të fitojë në fund”.