E Diel, 1 Nëntor 2026

Meteorologët: Nesër, dita më e nxehtë e këtij muaji

Shirat e javës së kaluar kanë mbyllur përfundimisht sezonin e pranverës dhe këto dy ditë jemi futur plotësisht në stinën e verës. Termometri ka regjistruar dje 30 gradë Celsius, ndërsa deri të enjten temperaturat do të rriten edhe më shumë. Sipas sinoptikanëve të zyrës së parashikimit të motit, "Meteoalb", dita e enjte do të jetë dita më e nxehtë e muajit maj. Sot dhe nesër temperaturat do të rriten deri në 3 gradë Celsius dhe vetëm ditën e premte do të kemi ulje të tyre me disa gradë.

Ashtu siç ishte parashikuar, kjo javë u regjistrua si më e nxehta e muajit. Dje, Tirana shënoi 30 gradë Celsius në hije, ndërsa sot, sipas meteorologëve, do të kemi një rritje të lehtë të temperaturave dhe nesër termometri do të shënojë 33 gradë Celsius. Për vendet malore do të ketë edhe një mundësi të vogël për shi të izoluar gjatë pasditeve. Ndryshime të motit priten vetëm ditën e premte, kur sipas parashikimeve pritet të kemi ulje prej 2-3 gradësh. Sinoptikanët parashikojnë se era do të jetë e dobët dhe për pasojë deti në brigjet shqiptare do të jetë i qetë. Ngritja e menjëhershme e temperaturave ka ndikuar menjëherë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore për pacientët kronikë, për fëmijët dhe të moshuarit.

Dje, në urgjencën e kardiologjisë, në spitalin "Nënë Tereza" janë paraqitur rreth 150 pacientë përgjatë 24 orëve. E njëjta situatë ka qenë edhe në urgjencën e pediatrisë. Janë regjistruar më shumë se 150 raste përgjatë një ditë-nate. Të gjithë pacientët kanë kërkuar ndihmë në spital, pasi gjendja e tyre shëndetësore ka qenë e rënduar. Fluksi pritej nga mjekët, të cilët "fajin" për shtimin e numrit të pacientëve ua kanë veshur rritjeve të menjëhershme të temperaturave. Nisur nga kjo, strukturat shëndetësore paralajmërojnë të gjithë qytetarët të bëjnë kujdes dhe të mos e rrezikojnë gjendjen e tyre shëndetësore, duke neglizhuar këshillat e mjekut. Udhëzimet e Shëndetit Publik këshillojnë prindërit, të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gjithë qytetarët të evitojnë daljet pas orën 10:30. "Evitoni ambientet e mbyllura, ajrosni mjedisin ku qëndroni dhe vishuni lehtë me materiale të mira. Konsumoni lëngje, mos pini më shumë se një kafe në ditë dhe gjatë ditës shoqëroni vaktet me ujë natyral. Pijet me përmbajtje kafeine, sheqernat, yndyrat, këshillohen të konsumohen sa më rrallë. Qëndrimi i gjatë me taka, konsumi i duhanit ndikon ndjeshëm në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›