Poleni i luleve, alergjia e stinës
Poleni i luleve, papastërtitë, tymi, ndotja apo grimcat e pluhurave në shtëpi mund të jenë shqetësime serioze për alergjinë. Alergjik mund të jemi ndaj lagështirës, ndaj ambienteve të pastruara mirë, por në mënyrë të veçantë në këtë stinë nga poleni i luleve. Sipas statistikave, për rreth 10 për qind të popullatës, stina e luleve paraqitet si më problematikja. Një pjesë e qytetarëve janë alergjikë ndaj çeljes së luleve. Mjekët rekomandojnë kujdes ndaj alergjive të tilla, pasi ato mund të çojnë në astmë, në bllokim të sistemit të frymëmarrjeve e ndonjëherë edhe në humbje jete. Teshtima të shpeshta, shenja të kuqe në lëkurë në formë hartash, kruajtje të padurueshme të tyre dhe rëndim të frymëmarrjes. Këto janë shenjat e një personi alergjik në stinën e pranverës. Pas një kohe të caktuar ata kthehen në pacientë kronikë, prandaj dhe është i nevojshëm trajtimi me ilaçe ose vaksinimi. Alergologët rekomandojnë incidal ose flonidon për këto alergji. Nuk rekomandohet qëndrimi në ambiente të hapura. Pluhurat e shtëpisë duhet të merren me pecetë të lagur, ndërsa duhet të evitohen ambientet me pluhur apo e ecura në rrugë. Kur shenjat e alergjisë rëndohen, pacienti duhet t‘i drejtohet menjëherë ndihmës së specializuar dhe konsultës te mjeku specialist. Një tjetër alergji e njohur në pranverë është ajo e pickimit të bletës, që në disa raste përfundon me humbje jete. Ndryshe nga alergjia e luleve, për reaksionin e thumbit të bletës ekziston një vaksinë e posaçme. Ajo ka efekt 10-vjeçar dhe kushton 50 mijë lekë.