E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: 480 milionë lekë për qendrat shëndetësore

Fondi që është hequr mënjanë për restaurimin e qendrave shëndetësore për vitin 2008 është 480 milionë lekë. Shuma është bërë publike dje nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, gjatë inaugurimit të qendrës shëndetësore në Petrelë. Rikonstruksioni i qendrës u mundësua nga zbatimi i projektit me Fondacionin ADRA në Shqipëri, me vlerë 50 mijë euro. "Inaugurimi i kësaj qendre është në vazhdën e reformave të ndërmarra në kujdesin shëndetësor parësor, i cili ndër të tjera konsiston edhe në bashkëpunimin me organet e pushtetit vendor", tha ministri. Sipas tij, vetëm në vitin 2007, Ministria e Shëndetësisë ka mundësuar ndërtimin e 315 qendrave shëndetësore dhe rikonstruksionin e 104 ambulancave. "Për këtë vit janë planifikuar investime me vlerë 480 milionë lekë, me të cilat do të rehabilitohen 217 qendra shëndetësore në shkallë vendi", parashikoi Ndoka. Sipas tij, vetëm në Tiranë do të investohen 26 milionë e 520 mijë lekë për ndërtimin e 9 qendrave shëndetësore. Këto qendra, veç infrastrukturës do të pajisen dhe me aparatura diagnostikuese. Aktualisht, qendrat shëndetësore janë nën varësinë e administrimin e Institutit të Kujdesit Shëndetësor. Reforma e re ka ndryshuar edhe mënyrën e pagesave të mjekëve të tyre. Kështu, punonjësit shpërblehen për punën që kryejnë, në bazë të disa kritereve të vendosura nga ISKSH. Reforma në parësor synon modernizimin e sistemit shëndetësor dhe vlerësimin e punonjësve sipas punës që kryejnë. Për sa u takon fondeve dytësore të grumbulluara nga qendrat shëndetësore, ato përdoren për të sistemuar mungesat brenda qendrave. Deri tani nga këto fonde qendrat shëndetësore kanë arritur të blejnë edhe pajisje si gjeneratori, për t‘u përdorur në rastet kur ndërpritet energjia elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›