E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohen masterat dhe doktoraturat e reja

Ministria e Arsimit ka miratuar masterat dhe doktoraturat e reja për vitin akademik 2008-2009. Në bazë të udhëzimit të ri që u publikua dje, programi i studimit të doktoratës ka në bazë të tij kërkimin shkencor dhe veprimtarinë krijuese të pavarur. Po kështu përfshin edhe 60 kredite për studime të organizuara. "Për t‘u pranuar në doktoratë (titulli Dr.) kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të dytë, diplomë të integruar të nivelit të dytë, apo diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, ekuivalente me to", kështu thuhet në udhëzimin e MASH-it. Doktoratura zgjat tre vjet dhe kriteret e pranimit në mënyrë të detajuar do të miratohen nga universitetet, tani që ka dalë udhëzimi i ri i ministrisë. Disa degë me karakter specifik do të kenë edhe kritere të veçanta për studimet e doktoraturës. Sipas udhëzimit, programet e studimeve specializuese afatgjata janë profesionalisht të orientuara dhe ofrojnë njohuri për profesione specifike në fushat e mjekësisë, stomatologjisë, veterinarisë, drejtësisë etj.

Përpos studimeve të lartpërmendura, institucionet publike të arsimit mund të ofrojnë edhe programe të formimit të vazhduar për specializime afatshkurtra, plotësime, thellime dhe freskime të njohurive, programe të kërkimit të avancuar, kurse e shkolla verore etj., në varësi të programeve të studimit që institucioni ofron, në përfundim të të cilave lëshohet certifikatë. Struktura dhe kohëzgjatja e këtyre programeve përcaktohen nga institucionet publike të arsimit të lartë.

Një kapitull të veçantë në udhëzim e zënë kreditit, pra vlerësimi që merr studenti në secilën lëndë. "Një krediti të formimeve universitare i korrespondojnë 25 orë mësimore punë të studentit", thuhet në udhëzim, ndërsa sqarohet se "sasia mesatare e punës së kryer gjatë një viti studimesh universitare nga një student me kohë të plotë është 60 kredite, apo 1500 orë mësimore punë të studentit, që përfshijnë orët në auditor dhe orët për punë të pavarur të tij". Orët për punë të pavarur të studentit zënë jo më pak se gjysmën e fondit të përgjithshëm të 1500 orëve mësimore. Doktoratura do të jetë me frekuentim në fakultet. Përpos orëve të lira, studenti është i detyruar të paraqitet edhe në leksione. Ngarkesa javore në auditor për leksione, seminare, ushtrime dhe laboratorë është në intervalin e 20-25 orëve mësimore 60-minutëshe. Kreditet korresponduese për çdo veprimtari formuese fitohen nga studentët vetëm për vlerësim pozitiv në verifikimin përfundimtar të dijeve të fituara prej tyre. Për verifikimin e dijeve përdoren forma të ndryshme që kombinojnë verifikimin e vazhdueshëm me atë përfundimtar (provimin).

Për sa u përket kritereve të pranimit në udhëzim përcaktohet se në master kandidati pranohet vetëm me diplomën e nivelit të parë (bachelor, 3-vjeçar). Ndërsa për t‘u pranuar në studimet e doktoraturës, kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të dytë, diplomë të integruar të nivelit të dytë, apo diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, ekuivalente me to. Për këto studime pritet të miratohen edhe kritere të tjera shtesë. Sipas udhëzimit, institucionet publike të arsimit të lartë përcaktojnë kritere specifike të pranimit në programet e doktoratës, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Këto kritere bëhen publike para fillimit të vitit akademik. Po të njëjtat kritere janë edhe për specializimet afatgjata të Mjekësisë dhe të Drejtësisë. Kohëzgjatja normale e programeve të studimit të doktoratës është së paku tri vite të tjera pas përfundimit të një programi studimi të ciklit të dytë apo programi të integruar të studimit të ciklit të dytë. Kohëzgjatja normale e programeve të studimit të specializimeve afatgjata është së paku dy vite të tjera pas përfundimit të një programi studimi të ciklit të dytë, apo programi të integruar të studimit të ciklit të dytë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›