Studimi i Bankës së Shqipërisë, shtëpitë 16 për qind më të shtrenjta se një vit më parë
Çmimet e shtëpive janë rritur me 15. 8 për qind gjatë tre muajve të parë të vitit 2010. Në rritjen e çmimit ka ndikuar drejtpërdrejtë ulja e investimeve publike në masën 27 për qind dhe mungesa e lejeve të ndërtimit kryesisht në kryeqytet ku dhe kërkesat për shtëpi
janë më të mëdha. Shifrat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilës mësohet se ndikim të konsiderueshëm në rritjen e çmimit ka pasur dhe rënia e lekut në krahasim me monedhën e përbashkët evropiane.
Çmimet e banesave
Çmimet e banesave kanë shënuar një rritje vjetore prej 15.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2010. Indeksi i çmimeve të banesave (IÇB) ka shënuar rritje vjetore duke filluar nga tremujori i parë i vitit 2009. Një pjesë e rritjes së indeksit reflekton efektin e nënçmimit të lekut ndaj monedhës evropiane. Pjesa më e madhe e çmimeve të mbledhura për të ndërtuar IÇB janë emërtuar në euro nga ndërtuesit apo shitësit për herë të dytë të banesave. Banka e Shqipërisë ka kryer analizën e plotë të ecurisë së çmimeve të banesave dhe e faktorëve që e përcaktojnë atë kufizohet nga mungesa e të dhënave për sasinë e transaksioneve të kryera në një tremujor. Zhvillimet në çmimet e banesave në tremujorin e parë të vitit 2010 janë ndikuar nga një ofertë e kufizuar në treg. Numri i lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja banimi ka shënuar rënie vjetore gjatë 3 tremujorëve të fundit të vitit 2009. Kushtet e shtrënguara të kreditimit, ngadalësimi i normës së rritjes vjetore të pagave, krahas pritjeve pesimiste të konsumatorëve për gjendjen e tyre financiare sinjalizojnë për një kërkesë të ulët për banesa. Megjithatë, ballafaqimi i kërkesës me ofertën në këtë treg nuk ka rezultuar në çmime më të ulëta. Nga ana tjetër, indeksi i kushtimit në ndërtim ka ndjekur një prirje rënëse gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit.
Ecuria e ekonomisë
Zhvillimet ekonomike gjatë tremujorit të parë të vitit 2010 kanë qenë në linjë me ato të tremujorit paraardhës. Megjithëse të dhënat e disponueshme janë të pakta, analizat tona konkludojnë se aktiviteti ekonomik në vend ka qenë relativisht i ngadaltë. Kjo ecuri është ndikuar nga niveli i ulët i investimeve private, ritmet e njëtrajtshme të shpenzimeve konsumatore dhe zbutja e efektit të stimulit fiskal. Eksportet shqiptare kanë shënuar një rritje të shpejtë gjatë tremujorit të parë të vitit, të ndikuar edhe nga përmirësimi i vazhdueshëm i ekonomisë botërore. Gjithsesi, si pasojë e peshës relativisht të ulët në PBB, ndikimi i tyre në rritjen ekonomike rezulton i vogël. Tregjet financiare dhe treguesit monetarë kanë patur zhvillime inkurajuese në këtë periudhë. Politika e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë ka ndikuar në qetësimin e pritjeve inflacioniste dhe në ecurinë më të balancuar të sektorit të jashtëm të ekonomisë. Ulja e fundit e normës bazë të interesit është reflektuar e plotë tashmë në normat e interesit të tregut ndërbankar dhe në ato të letrave me vlerë të qeverisë. Në një shkallë më të vogël, ajo është përcjellë edhe në normat e interesit të depozitave dhe të kredive në lekë. Injektimi i vazhdueshëm i likuiditetit ka ndihmuar gjithashtu në zbutjen e primeve të rrezikut, duke mbështetur e plotësuar politikën monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Kreditë e këqija
Ka vijuar edhe në vitin 2010 rritja e kredive të këqija. Banka e Shqipërisë ka evidentuar se gjatë vitit 2009 është rritur numri i kredive të këqija. Sipas raportit 8.2 për qind e kredive klasifikohen të kija. Ndërkohë që një vit më parë u regjistruan 5 për qind kredive me probleme. Ndërsa në periudha tremujore të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kreditë e këqija janë rritur në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 10 për qind të totalit nga 8 për qind që ishin në tremujorin e dytë të këtij viti. Rritja progresive e kredive me probleme ka nisur që në vitin 2007 dhe vijon në pësojë vetëm rritje. Të dhënat tregojnë se krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kreditë me probleme janë dyfishuar, ndërsa krahasuar me fillimin e vitit 2007 rritja është më shumë se tre herë. Sipas Bankës së Shqipërisë, nga gjithë kredia e dhënë për ekonominë në vite është korrekte dhe shlyhet rregullisht vetëm 82 për qind e saj. Sipas statistikave të publikuara herë pas here nga banka qendrore mësohet se brenda më pak se 18 muajsh, kreditë e këqija u rritën me 2.5 herë, ndërkohë që portofoli i kredive u rrit me më pak se 10 për qind. Sistemi bankar shqiptar menaxhon 455 miliardë lekë borxhe, (rreth 3.3 miliardë euro), dhe nga këto, rreth 52.6 miliardë lekë ose 378 milionë euro klasifikohen si kredi të këqija. Kreditë e këqija nuk janë thjesht kredi të humbura, por paraqesin rastet kur kredimarrësit kanë falimentuar dhe bankat kanë filluar procedurat për nxjerrjen e pronave peng në shitje për të rikuperuar vlerat monetare të dhëna hua.
Kreditë për shtëpi, merr një paguaj tre
Kreditë për shtëpi arrin në shifra stratosferike. Për të blerë në shtëpi në vlerën 100milion lekë të vjetra kredimarrësit në fund të 20 viteve është i detyruar të paguajë 300 milion lekë. Në kosto përfshihet primi, interesat dhe komisionet të cilat arrijnë në vlerën e 1 700 mijë lekëve të vjetra në muaj. Kjo vlerë do të shlyhet për çdo muaj në 20 vitet e maturimit të kredisë. Ndërkohë që të ardhurat mesatare për një familje shqiptare përllogariten sa gjysma e vlerës së kredisë që duhet shlyer për të paguar shtëpinë. Përveç alarmit që është në vijimësi nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë për mungesës transparence nga bankat e nivelit të dytë problemin për kreditë për shtëpi e ngre dhe agjencia e kreditimit. Sipas saj kreditë për shtëpi janë të papërballueshme nga shqiptarët.
Shtrenjtohen kreditë, bankat tkurrin kreditimin
Kërkesës në rritje të biznesit dhe individëve për kredi, bankat tregtare po i përgjigjen duke shtrënguar dhe shtrenjtuar kreditimin. Në një vëzhgim anketë që banka e Shqipërisë ka bërë me bankat e nivelit të dytë ka dalë në përfundimin se të marrësh kredi si individ apo si një biznes i vogël tani është shumë më e vështirë. Burime nga banka qendrore bëjnë të ditur se lehtësim kreditimi ka vetëm për korporatat e mëdha të cilave bankat preferojnë më së shumti tu japin kredi për investime. Sipas të njëjtave burime mësohet se opinioni i ekspertëve të kredisë është se situata makroekonomike dhe gjendja e kredive me probleme janë faktorët kryesorë që ndikojnë në shtrëngimin e kredive për biznesin. Bankat kanë rritur marzhin për kreditë në përgjithësi dhe ato me rrezik të lartë në veçanti si edhe kërkesën për kolateral gjatë gjithë kësaj periudhe të vitit. Edhe individët të cilët njëlloj si bizneset kanë më shumë kërkesa për kredi, po përballen me standarde më të shtrënguara kreditimi. Sipas bankave gjendja financiare e individëve, kreditë me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme janë arsyet që kredia bëhet më e kushtueshme. Kjo po realizohet duke rritur kërkesën për kolateral si edhe normat e interesit për kreditë në përgjithësi. Ajo që e bën më pesimiste situatën është fakti se bankat parashikojnë që edhe muajt në vijim normat e interesit të kredive të mos ulen.
Ornela Manjani