Metodat e Berishës për të hequr vëmendjen nga kriza politike Nga Mero Baze, "Faktori Plus"Pas tërheqjes nga dy nismat parlamentare të javës së shkuar ku Berishës iu desh të tërhiqet nga investimi i tij për të kontrolluar SHISH-in kundër rekomandimeve
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Metodat e Berishës për të hequr vëmendjen nga kriza politike Nga Mero Baze, "Faktori Plus"Pas tërheqjes nga dy nismat parlamentare të javës së shkuar ku Berishës iu desh të tërhiqet nga investimi i tij për të kontrolluar SHISH-in kundër rekomandimeve të NATO-s dhe të ngrejë një Komision Hetimor Parlamentar, për të shpërdoruar iniciativën ligjore të opozitës, sot Berisha është rishfaqur në Sheshin “Skënderbej” për një lojë të re luftash me opozitën. Teknikë të një kompanie të prokuruar nga qeveria, janë shfaqur në shesh për të piketuar asfaltimin e saj pas urdhrit verbal të kryeministrit në mbledhje të qeverisë. Shfaqja publike e teknikëve, në të vërtetë është një gjest që synon të ngrejë një zhurmë të re rreth një çështjeje tërësisht të qartë nga ana ligjore, ku Berisha e ka të ndaluar të përzihet. Projekti për Sheshin qendror të Tiranës, është miratuar dy vjet më parë nga një konkurs ndërkombëtar dhe qeveria e Kuvajtit ka dhuruar 5 milionë dollarë sipas Bashkisë dhe dhjetë sipas Berishës për ta ndërtuar. Kryetari i Bashkisë ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që qeveria të shpronësojë pronarët e ndërtesës së INSIG-ut, ku duhet të kalojë Unaza e Vogël e parashikuar në projekt, por kjo nuk ka ndodhur. Atëherë, Bashkia vendosi javën e shkuar të nisë në mënyrë të pjesshme zbatimin e projektit. Kaq u desh që Berisha të prodhonte një kundër betejë, duke bërë sikur nuk e kishte dëgjuar projektin e Bashkisë. E gjithë beteja synon të tërheqë vëmendjen nga kriza reale politike në vend dhe të prodhojë një betejë për shantazh tashmë ndaj kundërshtarit të vet politik, për ta detyruar atë të sillet para shqiptarëve si Kryetar Bashkie dhe jo si Lider Opozite.
Megjithëse është e qartë se një muaj më pas kjo betejë nuk do të ekzistojë më, dhe se ata që bëjnë gati piketa apo makina asfalti, do të bëjnë sikur kanë harruar ç’kanë thënë, sërish problemi mbetet tek keqpërdorimi që Berisha po i bën grupit parlamentar të PD-së, parlamentit dhe tashmë dhe parave të qeverisë, për interesa të ngushta politike të tij. Të poshtërosh siç ka bërë zoti Berisha javën e shkuar gjithë grupin parlamentar, vetëm për një tekë të tij, të bësh të votojnë kokulur dhjetëra ministra dhe deputetë që e dinë fare mirë që votat e tyre do të hidhen në koshin e parë të plehrave që i del para kryeministrit, dhe t’i detyrosh ata të heshtin para këtij poshtërimi, është e rëndë. Por më e rëndë për shqiptarët është skena e sotme, ku Berisha po angazhon fonde shtetërore dhe para nga taksapaguesit shqiptarë, për të realizuar një tekë të re politike të tij, që synon po ashtu të fusë në spiralen e një beteje banale liderin e opozitës. Dy nismat e tij të para parlamentare gjetën rezistencë të ashpër te bashkësia ndërkombëtare, e cila nuk ra në kurthin që ai deshi t’i fuste, për t’u marrë me probleme të reja, nga problemi kryesor, ai i krizës. Shpresoj që as opozita të mos bjerë në këtë lojë të re banale, tashmë me paratë e qytetarëve shqiptarë, të cilat nuk i dhimbsen kur përdoren për të ruajtur pushtetin e tij.