Bello: “Do të respektoj Kushtetutën për hyrjen në Kuvend
Mandati i deputetëve, nuk ka asnjë ligj të sanksionuar për bojkotim
Eneida Jaçaj
Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëkohësisht deputet i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, në një intervistë për gazetën “Albania”, duke hedhur poshtë idenë se nuk mund të hiqet mandati i deputetëve, deklaroi se nuk ka asnjë ligj apo dokument që të sanksionojë bojkotin e PS-së. Sipas tij, bojkotimi i institucioneve në një sistem demokratik është antidemokratik, e urren sistemin dhe kërkon t’i zgjidhë problemet përmes rrugës. Bello u shpreh se Shqipëria dhe shqiptarët duhet të mos bëjnë kurrë kompromis me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor, me institucionet dhe pavarësinë e pushteteve në shtet. Deputeti Bello bëri me dije se ai vetë dhe të gjithë deputetët e Lëvizjes do të jenë në Parlament për të realizuar opozitën kundër qeverisjes së dështuar të PD-së, pikërisht atje ku duhet, në Kuvend. I pyetur për rolin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, në këtë krizë politike, Bello e cilësoi të rëndësishëm rolin e tij, por shtoi se në një republikë të fortë parlamentare si kjo e jona, ku ndryshimet më të fundit kushtetuese favorizojnë hapur maxhorancat parlamentare, Presidenti ka fare pak hapësirë për të manovruar.
Ju, z. Bello, keni zgjedhur t'i jepni fund bojkotit të PS-së, duke hyrë në Parlament. A ka informacion se të gjithë deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe do të lënë bojkotin, si zgjedhjen më të drejtë?
Unë dhe kolegët e mi i kemi bërë thirrje hapur gjithë Grupit Parlamentar socialist t’i japë fund bojkotit dhe të kthehemi në Parlament, i bindur se kështu i shërbejmë më mirë vendit, interesave të qytetarëve, por edhe të gjithë atyre që na kanë votuar. Në të kundërt, unë dhe të gjithë deputetët e Lëvizjes do të jemi në Parlament për të realizuar opozitën kundër qeverisjes së dështuar të PD-së, pikërisht atje ku duhet, në Kuvend. Deri tani, maxhoranca ka qenë e qetë dhe nuk e ka ndjerë aspak presionin që një opozitë konstruktive duhet ta realizojë. Vendi është përpara sfidave të rëndësishme, që kërkojnë edhe kontributin e opozitës. Kur kemi qenë në pushtet nuk kemi lënë gur pa lëvizur për të dënuar bojkotin e opozitës së djeshme, ndërsa sot kemi rënë në të njëjtën grackë.
Konsulentë ligjorë kanë bërë me dije se mandati i deputetëve nuk mund të hiqet në këtë situatë, pasi Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor nuk e parashikojnë një gjë të tillë. Këtu i referohem edhe deklaratës së Berishës, i cili tha se do të ulë vijën e listës fituese nëse deputetët e PS-së nuk hynë në Parlament. Cili është komenti juaj?
Unë nuk e di se cilit konsulent ligjor i referoheni ju, por unë dhe kolegë të tjerë socialistë respektojmë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Nuk po flas për Kodin Zgjedhor që bashkërisht e kemi votuar me PD-në dhe që e parashikon fare qartë se si duhet proceduar në një rast të ngjashëm. Nuk ka asnjë ligj apo dokument që të sanksionojë bojkotin. Bojkotimi i institucioneve në një sistem demokratik është antidemokratik, e urren sistemin dhe kërkon t’i zgjidhë problemet përmes rrugës. Shqipëria dhe shqiptarët duhet të mos bëjnë kurrë kompromis me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor, me institucionet dhe pavarësinë e pushteteve në shtet. Përpara këtij deziderati nuk ka vlerë asnjë interes i vogël që lidhet me fatin e një personi apo një grupi, qoftë ky edhe në drejtimin e një partie. Nëse lidershipi i PS-së do të vijojë bojkotin me mendimin se kështu rrëzohet qeveria, e ka tmerrësisht gabim dhe i bën një dëm të pallogaritshëm vetë PS-së dhe së ardhmes së saj.
Nëse loja për hapjen e kutive mes opozitës dhe maxhorancës do të vazhdojë, mund të ketë gjasa për një qeveri teknike, pasi një pjesë e mirë e ligjeve kërkojnë votat e shumicës?
Qeveritë teknike nuk vijnë për shkak të moshapjes apo mosmbylljes së kutive. Sa kohë qeveritë kanë shumica parlamentare, çdo tentativë për t’i rrëzuar me forcë është i papranueshëm dhe krijon precedentë të hidhur. Kodi i ri Zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese synonin pikërisht krijimin e qeverive stabël për 4 vjet. Sot, këto ndryshime e bëjnë të pamundur rrëzimin e qeverisë dhe, si për ironi, zgjedhjet e parakohshme mund t’i provokojë vetëm kryeministri.
Mendoni se roli i Presidentit të Republikës në këtë situatë është i rëndësishëm për të dhënë një zgjidhje të mundshme krizës politike?
Roli i Presidentit është gjithmonë i rëndësishëm, por në një Republikë të fortë parlamentare si kjo e jona, ku ndryshimet me të fundit kushtetuese favorizojnë hapur maxhorancat parlamentare, Presidenti ka fare pak hapësirë për të manovruar. Zoti Topi ka pasur plotësisht të drejtë kur është shprehur se ai nuk mund të marrë rolin e ndërmjetësuesit nëse partitë nuk ia kërkojnë. Ata që kërkuan forcimin e partitokracisë nuk mund të lajnë duart dhe t’i kërkojnë Presidentit të ushtrojë kompetenca që nuk i ka më.
Lidhur me ndryshimet statutore. Cilat janë ndryshimet e reja statutore, përveç atyre që janë bërë publike dhe kur mund të mbahet Asambleja e PS-së?
Ne kërkuam që vitin e kaluar disa ndryshime statutore, por propozimet tona u hodhën poshtë nga shumica e marrosur nga inati dhe mllefi i humbjes së zgjedhjeve. Tani, ata që iu lutën z. Rama të mbetej në krye të PS-së, si dhe ata që votuan që ai të rikonfirmohej në krye të saj, po kërkojnë të ndryshojnë Statutin. Tendenca nuk është për ta demokratizuar, por për ta ngurtësuar PS-në. Kohët e fundit po mbizotëron mendimi se eliminimi i kundërshtarëve, kufizimi i demokracisë së brendshme dhe i mendimit ndryshe, si dhe njehsimi i partisë me vetë liderin janë hapa të domosdoshëm që duhen ndërmarrë për të fituar. Fatkeqësisht, vetëm kështu nuk fitohet.
12 Janar 2010