Studimi, drita u shton dhimbjet e kokës të sëmurëve me migrenë
Drita u përkeqëson dhimbjen e kokës të sëmurëve me migrenë. Së fundi shkencëtarët kanë arritur të zbulojnë se pse ata që vuajnë nga migrena i tremben dritës, e cila iu provokon më shumë dhimbje. Bëhet fjalë për lidhjen mes qelizave të ndjeshme të dritës së syve dhe një familje neuronesh me rol kryesor në dhimbjet që shkakton migrena në kokë. Zbulimi është publikuar në revistën “Nature Neuroscience” nga “Beth Israel Deaconess Medical Center” në Boston. Rreth 85 për qind e atyre që vuajnë nga migrena janë të prirur mos ta dëshirojnë dritën, pasi rrahjet në kokën e tyre shtohen. Mjaftojnë pak sekonda ekspozim në dritë për të shtuar dhimbjet e kokës. Në eksperiment kanë marrë pjesë disa persona që vuajnë nga kjo sëmundje, por që nuk shikojnë asnjëherë dritë dhe një grup tjetër që arrijnë të dallojnë se kur është ditë dhe kur është natë. Tek të parët është vënë re se nuk kishin probleme me dritën, ndërsa të dytët po. Shkencëtarët mendojnë se bëhet fjalë për një nerv optik, i cili tek ata që nuk shikojnë fare, s’funksionon.
Sëmundja
Migrena është forma më e përhapur e dhimbjes së kokës. Ajo është një sëmundje neurologjike me dhimbje pulsative të kokës e shoqëruar me marrje mendsh, vjellje, ndjeshmëri ndaj dritës, zërave dhe ndaj aromave. Fillon me simptomë prodromale, gjysmë deri një orë para dhimbjes së kokës, me eufori, depresion, lodhje, puls të shpejtuar, anoreksi. Pastaj vijon dhimbja e fortë e kokës në të shumtën e rasteve vetëm nga njëra anë, por jo gjithnjë. Gjatë aktiviteteve trupore keqësohen simptomat. Shpesh shoqërohet dhimbje koke me marrje mendsh, vjellje, fotofobi dhe fonofobi. Faktorët të cilët ndikojnë dhe shkaktojnë dhimbje koke janë: stresi, ndryshimi i bioritmit, mungesa e gjumit, ushqimi (djathi, çokollata, çaji, bananet, lajthia, arra, bajamja), alkooli, droga, ndryshimi atmosferik si dhe ndryshimi hormonal tek femrat.
Shkaqet
Shkaqet e shfaqjes së migrenës deri më sot ende nuk janë bërë plotësisht të njohura, edhe pse në botë numri i njerëzve, që vuajnë prej saj, është shumë i madh. Migrena është një formë e veçantë e dhimbjes së kokës, e cila mund të zgjasë nga disa minuta deri për ditë me radhë. Me migrenë nënkuptohen një valë dhimbjesh akute, në një gjysmë të kokës, shpesh të shoqëruara nga të vjella dhe marramendje. Shenjat e para janë shqetësime vizive: fleshe dritash në ajër, shfaqen sidomos tek adoleshentët ose moshat e reja, të cilët janë pjesëtarë familjesh ku është prezente kjo sëmundje edhe tek anëtarët e tjerë, dhe sidomos tek femrat me probleme menstruale. Patogjenezia e migrenës është e lidhur me modifikimin e fluksit të gjakut celebral, shkaktuar nga shqetësime arterioale.
Ilaçet
Shumë njerëz që vuajnë nga migrena përdorin barna kundër dhimbjeve. Shkencëtarët thonë se kura kundër migrenës mund të jetë më e keqe sesa sëmundja. Ndër ilaçet që përfshihen për trajtimin e dhimbjeve të kokës që shkaktohen nga migrena janë buta-bital dhe oxy-codone. Por një studim i kohëve të fundit tregon se përdorimi i shpeshtë i ilaçeve kundër dhimbjeve mund ta bëjnë migrenën kronike. Mjekët pranë kolegjit mjekësor “Albert Ajnshtajn” morën në shqyrtim 24 persona që vuanin nga dhimbje të kokës. Gjatë studimit këtë pacientë u pyetën se çfarë ilaçesh merrnin kundër këtyre dhimbjeve. Ata që merrnin ilaçe kundër dhimbjeve të kokës të paktën tetë herë në muaj kishin dy herë më shumë gjasa që brenda një viti këto dhimbje të bëheshin kronike. Gjithashtu, mjekët vunë re se pacientët që merrnin ilaçe josteroidale kundër migrenës si për shembull aspirinë, advil e motrin, nuk ndodheshin në rrezik të madh për t’u prekur nga migrena kronike.
Format e migrenës
Eksitojnë dy lloje kryesore të migrenës: migrena me aurë dhe migrena pa aurë. Aura zgjatë deri më 60 minuta. Ajo paraqitet me halucinacione optike. Tek gratë migrena shpesh është në formë më të zgjatur dhe më intensive. Por nuk përjashtohen mundësitë e shfaqjes së saj edhe te fëmijët, 5 për qind e tyre vuajnë nga kjo sëmundje. Jo gjithmonë ndihma e mjekut mund të çojë në parandalimin e kësaj sëmundjeje tepër shqetësuese për njerëzimin. Shpesh vetëshërbimi mund të jetë shumë më frytdhënës se medikamentet e rekomanduara prej mjekut.
Migrena klasike
Shfaqet zakonisht tek fëmijët, adoleshentët ose të rinjtë. Është me e shpeshtë tek femrat dhe ka karakter familjar. Kriza fillon me çrregullime vizuale (shkëndija ose deformim i objekteve), dhimbje pulsuese vetëm në një gjysmë të kokës (në të majtë ose në të djathtë), të vjella. Vazhdon 2-6 orë dhe përmirësohet pas gjumit.
Migrena e zakonshme
Dhimbje koke unilaterale ose bilaterale, me ndjenjën e të vjellës, por pa të vjellë dhe pa shqetësime vizuale. Më e shpeshtë tek femrat. Kriza fillon gradualisht dhe mund të zgjasë nga disa orë deri në disa ditë.
Migrena “me orar”
Dhimbje koke unilaterale (si djegie), retroorbital (mbrapa syve), shfaqet natën. Më e shpeshtë tek meshkujt e rinj (90 për qind). Kriza fillon rreth 2-4 orë, pasi ka rënë të flejë, ka një intensitet të lartë që të zgjon nga gjumi, i sëmuri loton vetëm nga njëri sy dhe paraqet kongjestion nazal. Zakonisht nuk shoqërohet me probleme vizuale ose të vjella. Kriza vazhdon 20-60 min pastaj pushon menjëherë dhe rishfaqet ditën tjetër në të njëjtën orë për disa javë me radhë. Pastaj mund të pushojë për disa muaj dhe të rishfaqet përsëri.
Të dhëna për sëmundjen
Komplikimet
Migrena kronike: më shumë se 15 ditë në muaj dhimbje koke.
Statuti i migrenës: 72 orë pa ndërprerje të dhimbjes së kokës.
Infarkti i migrenës: dëmtimi i trurit si pasojë e migrenës.
Prevalenca
Nga migrena vuajnë 18 për qind e grave dhe 6 për qind e meshkujve. Ajo manifestohet për herë të parë rreth moshës 25 deri 45-vjeçare. Deri në pubertet vuajnë meshkujt dhe femrat në përmasa 1 me 1, pastaj në moshën e rritur femrat vuajnë tre herë më shumë se meshkujt.
Diagnoza
Diagnoza e migrenës bëhet nga pyetja e saktë e pacientëve si dhe nga studimi i historisë së sëmundjeve të pacientëve. Metoda speciale laboratorike për diagnozën e migrenës nuk ekzistojnë. Pra migrena është sëmundje e cila me mjete të mjekësisë nuk mund të verifikohet pa probleme. Mirëpo me ndihmën e Elektroencephalografisë (EEG), Computertomografisë (CT), Ultrazërit, mund të përjashtohen dhimbjet e shkaktuara nga tumoret, gjakderdhja në tru, etj.
Mjekimi i migrenës
Terapia e migrenës bëhet në dy shtylla: terapia akute dhe terapia profilaktike (parandaluese).
Terapia akute
Për rastet akute të dhimbjes së kokës preferohen:
Triptanet: sumatriptani, zolmitriptani, eletriptani, Rizatriptani, naratriptani dhe frovatriptani.
Anti-inflamatorët: acidi acetylsalicik(Aspirin), Paracetamol, ibuprofen.
Antiemetikët (kundër vjelljes): domperidon.
Gjithashtu edhe ergotamini, dihidroergotamini.
Terapia profilaktike
Për parandalimin dhe reduktimin e paraqitjes së dhimbjes:
Betablokues: metoprolol, propranolol.
Bllokues të kanalit të kalciumit: flunarizin.
Gjithashtu si medikamente të dorës së dytë: valproat, topiramat.
Si metoda pa medikamente vlen të përmenden qetësimi në dhoma të errëta pa zhurmë, terapia aromatike dhe trajnimi autogjen.
12 Janar 2010