Tentojnë të përdhunojnë të miturën, bien në pranga dy të rinjtë
ELBASAN - Dy të rinj kanë rënë në pranga pasi tentuan të kryejnë marrëdhënie seksuale me dhunë me një të mitur. Burimet zyrtare bëjnë të ditur dy net më parë, rreth orës 2:00 arrestuan Olsi Mihal Bardhi, 22 vjeç dhe Hajdar Bashkim Kruja, 21 vjeç, që të dy lindur dhe banues në lagjen “Emin Matraxhiu” në qytetin e Elbasanit. Sipas tyre, të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të kryejnë marrëdhënie seksuale me të miturën R. R., 14 vjeçe, në lokalin “Pegas” në qytetin e Elbasanit. Zëdhënësja e Policisë thotë se po punohet për dokumentimin e ngjarjes, ndërsa ndaj Krujës dhe Bardhit kanë nisur hetimet për veprat penale “marrëdhënie seksuale me të mitur, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”.
Aksidentohet minatori në galeri
BULQIZË - Regjistrohet aksidenti i radhës në minierën e Bulqizës. Aksident me plagosje të lehtë të një punëtori ka ndodhur dje në punë gjatë mbrëmjes brenda minierës së Bulqizës në nivelin 16-të kësaj miniere. 40-vjeçari Afrim Rexha, ndërsa ecte mbrapsht me një fadromë është përplasur me një traversë të armaturës. Mësohet se punëtori është aksidentuar në shtyllën kurrizore. Ai u dërgua për mjekim në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Burime nga ky spital bëjnë të ditur se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që po hetohet për shkaqet e ngjarjes.
Anti-droga italiane, ndalohen 10 shqiptar dhe tunizian
ITALI – Pranga shqiptarëve dhe tunizianëve për trafik droge. Policia e Modenas në Itali ka zhvilluar një aksion antidroge duke vënë në pranga 10 emigrantë shqiptarë dhe tunizianë. Sipas të dhënave nga forcat e rendit të vendit fqinj, në këtë aksion janë sekuestruar edhe 17 kg heroine e ndara në 33 pako. Droga që u sekuestrua në Savignano sul Panaro ishte e destinuar për tregun e brendshëm në provincën e Modenas, por edhe për pjesën e Emilia Romagna. Sipas përllogaritjeve të para, mësohet se heroina arrin vlerën e 500 mijë eurove. Deri tani policia nuk ka bërë të ditur identitetin e shqiptarëve.
Pranga dy të rinjve, vodhën shtëpi në Tiranë dhe Kavajë
Një 23-vjeçar është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë së Kavajës pasi akuzohet për vjedhjen e një banese. Armand Tafa, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lekaj Kavajë, u arrestua pasi dyshohet se më datë 6 janar 2010 në fshatin Lekaj, Kavajë, ka realizuar vjedhjen e një banese ku janë marrë një sasi parash prej 150 000 lekësh, një televizor plazma, një armë gjahu ruse si dhe dokumentet e mjetit “Fiat Brava”, me targa të huaja. I riu ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Kavajë më datë 8 janar 2010. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura një televizor plazma dhe një armë gjahu Ruse. Po ditën e djeshme në prangat e Policisë së Tiranës ka rënë dhe i mituri mi inicialet V. M. Sipas policisë, më datë 07.01.2010 dyshohet se ka vjedhur me thyerje një sasi bizhuterish dhe sende personale në banesën në pronësi të një shtetaseje. U bë dokumentimi i plotë i autorësisë së vjedhjes dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura dhe të fshehura nga ky shtetas.
Plagosi me thikë 41-vjeçarin, arrestohet autori
KAVAJË - Plagosi me thikë 41-vjeçarin, arrestohet Madi Myslimaj. Policia e Kavajës bën të ditur lajmin se e dje është bërë i mundur arrestimi i këtij personi, pasi dyshohet se ka goditur disa herë me armë të ftohtë thikë në pjesën e trupit, për motive të dobëta shtetasin Naim Qani Haxhiu, 41 vjeç, me banim në Kavajë. Uniformat blu bëjnë të ditur se i plagosuri ndodhet i shtruar në Spitalin e Durrësit dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që ndaj 25 vjeçarit Myslimaj kanë nisur hetimet lidhur me veprën penalë të “plagosjes së rëndë më dashje”.
12 Janar 2010