Polica e Tiranës, aksion për shoferët e padisiplinuar, 561 gjoba, 8 bllokime patentash
561 gjoba dhe 8 bllokime patentash. Ky është rezultati i aksionit më të fundit të ndërmarrë nga Policia e Tiranës për parandalimin e aksidenteve rrugore. Ne një njoftim për shtyp, Policia e kryeqytetit bën me dije se po vazhdojnë kontrollet ndaj atyre drejtuesve të mjeteve, të cilët janë debitorë në shlyerjen e detyrimeve të tyre. “Theksojmë se, shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore”, - thuhet në njoftim. Kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Vetëm gjatë këtyre dy ditëve, në qarkun e Tiranës, nga shërbimet e Policisë janë konstatuar dhe vendosur këto masa administrative: masa administrative në total të vendosura 561, ndërsa leje drejtimi të pezulluara 8 copë. Në këtë kuadër, shërbimi i Policisë Rrugore Tiranë sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke i ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.
Mbyllen hetimet për tutorin, dosja në Gjykatë
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për Antonio Veshin dhe e ka depozituar dosjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda për veprat penale të “shfrytëzimit të prostitucionit” dhe “trafikimit të femrave”. 35-vjeçari Veshi, nga Bulqiza, është vënë në pranga në muajin tetor të vitit 2009, pasi gjykata kishte vendosur masën e sigurisë në mungesë “arrest me burg”. Sipas organit të akuzës bëhet e ditur se Veshin ka shfrytëzuar disa femra për prostitucion për një periudhë të gjatë. Ndaj këtij të pandehuri prokuroria kishte nisur një hetim, të cilin e finalizoi më dërgimin e dosjes në gjykatë. Mësohet se në dosje janë të dokumentuara rastet e trafikimit dhe shfrytëzimit të femrave nga ana e këtij të pandehuri.
Aksidenti, një i vdekur dhe një i plagosur
KAVAJË – Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i aksidentit të ndodhur në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, kur automjetin tip “Fiat Punto”, me targa AJ 981 ZG, që drejtohej nga 28-vjeçari Shpëtim Hida, është goditur nga pas nga mjeti tip “Audi A3”, me targa të huaja, që drejtohej nga 18-vjeçari Dorian Xhani, të cilët po qarkullonin në të njëjtin drejtim. Si pasojë e kësaj përplasjeje është aksidentuar me vdekje drejtuesi i mjetit tip “Audi”, Dorian Xhani, si dhe është dëmtuar pasagjeri Arben Leçinji, 19 vjeç. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore e procedurale, ndërkohë që materialet e përpiluara për këtë ngjarje aksidentale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, në ngarkim të 28-vjeçarit Shpëtim Hida, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
12 Janar 2010