Mezi e presin, vitin 2010

Viti që po e lëmë pas ishte mjaft i mbrapshtë sa i përket ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, sepse gjatë këtij viti asnjë federatë sportive kosovare nuk ia doli të ndërkombëtarizohet, ndonëse Kosova e ka shpallur shtetësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008.
Kështu që udhëheqësit e sportit kosovar po përpiqen ta harrojnë këtë vit, derisa kanë filluar të shikojnë nga e ardhmja. Viti 2010 nga udhëheqësit e sportit shpresohet të jetë shumë më me fat krahasuar me vitin që po e lëmë pas.
Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, shpreson që gjatë vitit që po vjen së paku shtatë federata sportive kosovare të anëtarësohen me të drejta të plota në federatat përkatëse ndërkombëtare.
Federata e Hendbollit e Kosovës, Federata e Xhudos, Federata e Skitarisë, Federata e Mundjes, Federata e Shigjetarisë, Federata e Taekwandosë dhe Federata e Boksit janë federatat të cilat Besim Hasani beson se do t’ia dalin të ndërkombëtarizohen me të drejta të plota.
Duhet theksuar se me përjashtim të Federatës së Boksit, të gjitha federatat e tjera të lartpërmendura janë të pranuara ndërkombëtarisht, por me të drejta të kufizuara.
Nëse kjo ndodh, atëherë do t’i hapet një rrugë e gjerë KOK-ut që të pranohet në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON). Për t’u pranuar KOK-u në këtë asociacion, kushti i parë është që duhet të jenë të ndërkombëtarizuara pesë sporte olimpike të Kosovë. Kurse deri më tani vetëm dy sporte olimpike janë të pranuara ndërkombëtarisht me të drejta të plota. Bëhet fjalë për Federatën e Pingpongut të Kosovës dhe atë të Peshëngritjes. Edhe Federata e Karatesë është e ndërkombëtarizuar me të drejta të plota, por nuk është sport olimpik.
Hasani shpreson që shtatë federatat kosovare do të ndërkombëtarizohen gjatë vitit 2010, duke u bazuar në faktin se federatat përkatëse ndërkombëtare gjatë këtij viti do t’i mbajnë kongreset e tyre, ku pritet të shqyrtohen aplikacionet e kosovarëve për pranim të plotë, përkatësisht heqjen e kushtëzimeve.
“Hendbolli, xhudoja, skitaria, mundja, shigjetaria, taekwondo dhe boksi besoj se do të pranohen gjatë vitit të ardhshëm. Them kështu sepse federatat përkatëse ndërkombëtare gjatë këtij viti i mbajnë kongreset e tyre dhe do të shqyrtohen aplikacionet e federatave kosovare”, deklaroi Hasani për Express.
“Unë besoj se do të pranohen sepse shumica e këtyre sporteve veç janë të pranuara me kushtëzime. Ndërsa udhëheqësit e këtyre federatave kanë lobuar mjaft mirë dhe po vazhdojnë të lobojnë për pranim të plotë. Po ashtu, krerët e këtyre federatave kanë hasur në mirëkuptim te federatat përkatëse ndërkombëtare. Prandaj them se ka sinjale të mira se nuk do të refuzohen”, theksoi Hasani.
Edhe nëse kjo ndodh, Hasani nuk e përjashton mundësinë që KOK-u të hasë sërish në vështirësi për inkuadrim në KON. “Kriteri kryesor për pranim të KOK-ut në KON është fillimisht ndërkombëtarizimi i pesë sporteve olimpike të Kosovës. Mirëpo, në statutin e KON-it thuhet se një vend që ia mësyn të pranohet në KON duhet të jetë i njohur ndërkombëtarisht. Pra, nuk ceket se duhet të jetë anëtar i OKB-së, por vetëm shtet i njohur ndërkombëtarisht”, tha ai.
“Me këtë rast, Kosova do ta meritonte të pranohet, duke u bazuar edhe në thirrjen e të drejtës së pjesëmarrjes në gara sportive. Por, varet se si do të interpretohet nga drejtuesit e KON-it kjo ‘i njohur ndërkombëtarisht’. Mund të na thonë se kjo do të thotë të jemi anëtar i OKB-së”, pohoi Hasani.
Nëse edhe atëherë i bëhet kjo padrejtësi sportit kosovar, Hasani nuk e ka përjashtuar mundësinë që nëpërmjet gjyqeve sportive ndërkombëtare ta kërkojë të drejtën për inkuadrim në KON.
“Me çfarëdo vendimi ne do të kemi të drejtë ankese. Pra, të gjitha opsionet do të mbesin të hapura për ne dhe të gjitha ato do t’i shfrytëzojmë, derisa ta realizojmë aspiratën tonë”, potencoi Hasani.