Vëllaznimi zyrtarizon Shoshollin

Ajet Shosholli do t’i prijë Vëllaznimit në sezonin pranveror. Klubi gjakovar dhe trajneri mitrovicas kanë arritur marrëveshjen e bashkëpunimit për gjashtë muaj të shtunën në mesditë.
Këtë lajm e kanë bërë të ditur udhëheqësit e klubit kuq e zi, pas negociatave që kishin me ish trajnerin e Prishtinës, të cilat rezultuan me sukses. “Sot është arritur marrëveshja me shefin e shtabit teknik. E gjetëm gjuhën e përbashkët dhe Ajet Shosholli do ta udhëheqë Vëllaznimin në pranverë, por nuk përjashtohet mundësia që ai ta vazhdojë punën e tij edhe më tutje”, është shprehur menaxheri i klubit, Ahmet Morina.
Ndërkaq, kryetari Agim Koci ka thënë se Shosholli e ka pranuar punën e re me kusht që t’i sillen 3-4 përforcime. “Trajneri i ri ka kërkuar përforcime në mbrojtje dhe në sulmues. Ne do të mundohemi t’i sjellim futbollistët e kërkuar. Më shumë do të dihet javën e ardhshme”, ka thënë Koci.
Edhe Shosholli e ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes. Ish drejtori sportiv i Trepçës ’89 është i vetëdijshëm se e pret punë shumë e vështirë për ta shpëtuar Vëllaznimin nga rënia prej Superligës, por ai do të tentojë ta evitojë një gjë të tillë.
“E di që do të jetë shumë vështirë, këtë e di edhe bordi, e dinë të gjithë. Por, unë nuk munda ta refuzoja një ofertë të tillë, pasi gjatë karrierës sime si trajner 2 vjet i pata kaluar te Vëllaznimi. Së bashku me bordin, futbollistët dhe simpatizuesit e flaktë do të mundohemi të bëjmë çmos dhe ta bëjmë të pamundurën, në mënyrë që Vëllaznimi të dalë nga kjo krizë dhe të shpëtojë”, u shpreh Shosholli për Express.
Trajneri mitrovicas ka pohuar se të dielën do ta ketë një takim me menaxherin e Vëllaznimit, Ahmet Morina, me të cilin do të bisedojnë bashkë rreth përforcimeve që do t’i bëjë klubi gjakovar.
Burimet e gazetës Express brenda Vëllaznimit kanë njoftuar se trajneri Ajet Shosholli u ka kërkuar me ngulm drejtuesve të klubit që t’ia sjellin dy vëllezërit prishtinas, të cilët luajnë në mesfushë, Artan dhe Driton Krasniqi. I pari është lojtar i lirë, kurse i dyti në vjeshtë u aktivizua te KEK-u. Po ashtu, në planet e Vëllaznimit janë edhe Enis Fetahu, Arben Zhjeqi dhe Naser Prapashtica.
“Sigurisht, përforcimet na nevojiten. Do të takohem me Ahmet Morinën dhe të flasim për këtë punë. Kemi biseda me disa futbollistë, të cilët mendojmë t’i transferojmë”, tha Shosholli.
Në fund, kryetari Koci ka premtuar se brenda 3-4 ditësh, klubi do ta kryejë një pjesë të obligimeve që ka ndaj lojtarëve, ndërsa shtoi se para fillimit të përgatitjeve për pranverë, klubi llogarit që ta shlyejë plotësisht borxhin ndaj futbollistëve.