Rrahje masive në boksin francez

Grushte, shpulla, hedhje të kanaçeve dhe karrigeve drejt njerëzve. Kjo ka ndodhur të premten në kampionatin francez të boksit. Kjo nuk ndodhi në ring, por jashtë tij.
Në palestër të sportit, ndërmjet njëmijë spektatorëve, përpara dy boksierëve të habitur.
Më saktësisht, ngjarja ndodhi në Pont-Sainte-Maxence, 60 kilometra në veri të Parisit, në një natë spektakli të boksit.
Në atë periudhë po zhvillohej lufta për titull në peshat e lehta ndërmjet Abdoulaye Soukouna, i cili vinte nga Vitry Sur Seine, periferi e parë e Parisit, dhe vendësit Yvan Mendy.
Dueli përfundoi baras. Ky rezultat si duket nuk u pëlqeu tifozëve vendës. Kështu, tensioni dhe përleshjet nisën menjëherë pas gongut final. Mirëpo, sipas Pascale Boggia, president i një klubi lokal, kjo përleshje ka filluar edhe për shkak të rivalitetit gjeografik ndërmjet fshatarëve dhe qytetarëve nga periferia parisiene.
Por, edhe boksieri vendës Mendy e mban një pjesë të përgjegjësisë, shkruan e përditshmja franceze Le Parisien.
Kjo e fundit në artikull përmend faktin se boksieri francez ka qenë shumë i ashpër dhe kërcënues, pas përfundimit të meçit.
Kurse kampioni në fuqi, Soukouna ka vepruar ndryshe, duke u munduar t’i qetësojë njerëzit me fjalë.
Por, kjo ishte e pamjaftueshme. Në fund, vetëm falë intervenimit efikas të sigurimit, nuk pati shumë të lënduar.